Avokatja ruse, e gatshme të dëshmojë për takimin me djalin e Trumpit

Prishtinë | 19 Kor 2017 | 19:20 | Nga

Avokatja ruse, Natalya Veselnitskaya, tha se është e gatshme të dëshmojë para Kongresit të Shteteve të Bashkuara për takimin me djalin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Veselnitskaya ka takuar Donald Trump Jr. në qershor të vitit 2016, në Kullën Trump në Nju Jork.

Trump Jr. i është thënë se Veselnitskaya është avokate e Qeverisë ruse, e cila mund të ketë informacione dëmtuese për kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Takimi i tij me Veselnitskayan ka rritur dyshimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar.

“Jam e gatshme të dëshmoj për situatën që qëndron pas kësaj histerie masive, por vetëm përmes avokatëve ose duke dëshmuar në Senat”, tha Veselnitskaya në një intervistë për kanalin rus RT.

Veselnitskaya ka thënë më herët se ajo është avokate private dhe se nuk ka lidhje me Kremlinin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme