Azar: Nuk ka rritje të rasteve me Coronavirus në vendet që po rihapen

Prishtinë | 17 Maj 2020 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet nuk janë duke parë rritje të rasteve në vendet që po rihapen, por po shohin rritje në disa zona që kanë mbetur të mbyllura, ka thënë sekretari i shëndetësisë i SHBA-së, Alex Azar, të dielën.

“Në vendet që po hapen nuk po shohim rritje të rasteve. Por, ende po shohim rritje në disa zona që në fakt janë të mbyllura”, ka thënë Azar për CNN.

“Rihapja nuk është e njëjtë në çdo vend, por duhet të ndodhë pasi nuk është shëndeti kundër ekonomisë. Është shëndeti kundër shëndetit”, ka shtuar ai, duke thënë se ka pasoja serioze shëndetësore nëse nuk fillon rihapja.

I pyetur për imazhet që po transmetohen nga disa zona të vendit ku po shihet tubimi i njerëzve në afërsi të bareve dhe duke qëndruar afër njëri-tjetrit, Azar ka thënë se kjo është kostoja e lirisë.

“Mendoj se në çdo instancë individuale do të shohësh njerëz që bëjnë gjëra që janë të papërgjegjshme. Kjo është pjesa e lirisë që kemi këtu në Amerikë”, ka thënë Azar.

Amerika është vendi që është goditur më së rëndi nga koronavirusi, ku janë regjistruar afro 1.5 milionë të infektuar, e rreth 88 mijë të vdekur.

Të ngjashme