Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, RamizAzizi gjatë ditës së enjte ka mbajtur një konferencë për media me gazetarë, ku ka shpalosur raportin për muajin janar – prill 2021.
Azizi ka thënë se në bazë të dhënave statistikore, Gjykata Themelore e Gjilanit së bashku me Degët gjatë kësaj periudhe ka arritur të zgjidh 98 % të lëndëve.
“Gjatë këtyre katër muajve kemi zgjidhur 98 % të lëndëve nga ato që i kemi pranuar. Këtë e konsideroj një sukses, pasi që dihet që po punojmë në kushte të vështira dhe me staf të reduktuar, për shkak të situatës së pandemisë.Ne po shpresojmë që me përmirësimin e gjendjes me pandeminë, do të rrisim efikasitetin dukshëm me shumë”, ka thënëAzizi.
Statistikat tregojnë që Gjykata së bashku me degët kanë trashëguar 16.100 lëndë, kanë pranuar 3.177 në total 19.277 lëndë, janë arritur të zgjidhen 3.137 lëndë, ndërkohë kanë mbetur në punë edhe 16.142 lëndë.
Duke folur për rastet e korrupsionit, Azizi ka thënë se gjatë kësaj kohe kemi pranuar 7 lëndë, ndërkohë janë zgjidhur 5 lëndë të kësaj natyre. Gjykata ka vendosur me aktgjykim dënues ndaj tre të akuzuarve, ndërsa dy aktgjykime kanë qenëliruese.
“Mund të ju them që lëndët e korrupsionit janë të gjitha në procedurë dhe asnjë prej këtyre lëndëve nuk pret në Gjykatën tonë. Këto lëndë janë me prioritet dhe jemi duke punuar në atë drejtim që të kemi sa më pak lëndë të kësaj natyre”, tha ai.
KryetariAzizi ka përmendur rastet e dhunës në familje, nga viti i kaluar numri i tyre është rritur, por siç ka thënë ai, Gjykata është e pakompromis në këto raste, duke i shqiptuar dënime të ashpra ndaj kryerësve të këtyre veprave.
Për më tepër ai ka theksuar se sfidë mbetet mungesa e gjyqtarëve të mjaftueshëm dhe stafit administrativ, gjë që po ndikon në zgjidhjen e lëndëve.