Ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit për vrasjen e policit të Njësisë Speciale Triumf Riza, pasi ka munguar njëri nga anëtarët e trupit gjykues.
Në seancë ka qenë i pranishëm babai i policit të ndjerë, Shefqet Riza, i cili është paraqitur pa prezencën e avokatit mbrojtës, pasi po e ka të pamundur për ta gjetur një të tillë.
Babai i Triumf Rizës, në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se nuk po gjen avokat mbrojtës për rastin e vrasjes së djalit të tij pasi, sipas tij, të njëjtit kanë frikë nga grupi i Enver Sekiraqës.
“Avokatët nuk kanë qejf me pasë probleme me këta. Disa frikësohen, derisa disa shokë që i njoh si avokatë të mirë nuk kanë pranuar ta marrin mbrojtjen për këtë rast. Të them të vërtetën, unë as që kam nevojë për avokat. Çka ka me më mbrojtë kur dihet katërcipërisht kush e ka vrarë djalin tim? Por, kush është nxitësi kryesor? Nxitësi kryesor është Enver Sekiraqa”.
“Çka do që të thotë gjykata, familja ime e ngushtë dhe e gjerë e di që fajtori kryesor për vrasjen është Enver Sekiraqa. Enver Sekiraqa intensivisht dy vjet me grupin e tij e kanë ndjekë për ta vrarë Triumfin dhe në fund e ka paguar një njeri”.
Riza tha se i ka kontaktuar gjashtë avokatë për t’i angazhuar për rastin e vrasjes së birit të tij, por asnjëri nga ta nuk ka pranuar – pavarësisht shumës së parave të ofruara – që ta marrë përsipër mbrojtjen në këtë rast.
Ai ka shtuar se familja e tij vazhdon të kërcënohet nga, siç e quan ai, grupi i Enver Sekiraqës.
“Kërcënime kemi pasë edhe ne, por ne nuk frikësohemi. Nga grupi i tij ende kemi kërcënime. Djali im ende shkon në punë me përcjellje”.
Ai ka deklaruar se shteti duhet ta sigurojë një avokat për këtë rast, derisa ka shtuar se avokati i tij kryesor duhet të jetë prokurori i rastit.
“Shteti ka mundësi që ta gjejë një avokat. Por, avokati im kryesor duhet të jetë prokurori. Prokurori është ai që e mbron vijën ligjore në këtë rast, sepse është vrarë një polic elitar – një polic që është shtylla kryesore e shtetit. Pas vrasjes së Triumfit, Ambasadori i Britanisë së Madhe pati deklaruar se ‘Në Angli ose kudo në vendet e perëndimit, vrasja e një polici konsiderohet vrasje e krejt shtetit’”.
Babai i Triumf Rizës tha se është lodhur nga procesi i stërzgjatur gjyqësor.
“Ne jemi lodhur me këto procese. Unë personalisht merrem që 13 vjet duke shkuar nëpër gjykata. Ky rasti i Enver Sekiraqës është që tetë vjet. Ky njëherë ka qenë me pasaportë të Serbisë në Serbi dhe pastaj në Angli dhe vendet e tjera. Me pasaportë është fshehur gjashtë vjet. Në fund paraqitet, sepse këta të EULEX-it mund ta gjenin dhe nuk ka pasur nga shkon. Këta kanë vepruar si grup, sepse gjashtë vetë e kanë ndjekur Triumfin për ta vrarë”.