Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka bërë apel te qytetarët e pjesës së veriut që të mbështesin policinë e Kosovës për aksionin e Njësisë Speciale që është ende duke vazhduar në veri të Mitrovicës.
Bahtiri ka thënë që është në interesin e tyre që të përkrahin këtë aksion pasi është kundër njerëzve që merren me krim të organizuar duke përfshirë serbë dhe shqiptarë.
Ai ka treguar gjithashtu se gjendja shëndetësore e zyrtarit policor të plagosur mëngjesin e sotëm është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Lidhur me këto zhvillime, Bahtiri ka reaguar edhe përmes rrjetit social Facebook.
Postimi i plotë i Bahtirit:
Apeloj te të gjithë qytetarët e pjesës së veriut që të rrijnë të qetë dhe mos ta konsiderojnë këtë aksion si kundër tyre, pasi është aksion vetëm kundër njerëzve që merren me krim të organizuar, duke përfshirë serbë dhe shqiptarë.
I ftoj gjithë banorët e pjesës së veriut që t’i japin mbështetje policisë së Kosovës, sepse është në interesin e tyre që njëherë e përgjithmonë të zbatohen ligjet e Republikës së Kosovës, që janë më të favorshmet për minoritete në Evropë.
Prandaj, edhe njëherë kërkoj qetësi dhe përkrahje për Policinë e Kosovës që po bën një punë të mrekullueshme. Perkrahja e aksionit është në vet interesin e qytetarëve të veriut.
Në fund gjyqësia do ta japë fjalën përfundimtare për ta vënë drejtësinë në vend. Edhe njëherë po them se Policia e Kosovës është në shërbim të të gjithë qytetarëve pavarësisht nacionalitetit, e sidomos në pjesën veriore që është duke e respektuar shumë minoritetin serb.