Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për mbështetjen e projekteve infrastrukturore në këtë qytet.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se ky projekt është vetëm nisma e projekteve të tjera të cilat priten të realizohen në këtë qytet.
Ministri Lekaj, me këtë rast tha se Mitrovica duhet të ndihmohet edhe më shumë, ngase ky qytet është simbol i rezistencës dhe i të mirës së shtetit.
“Sot ne jemi në Mitrovicë që është simbol i rezistencës, simbol i së mirës së shtetit të Kosovës dhe unë dhe bashkëpunëtorët ndihemi shumë mirë që na është dhënë rasti dhe hapësira që të mbështesim Mitrovicën dhe kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, në projekte që kanë impakt pozitiv edhe në lëvizjen e lirë dhe në sanimin e gjendjes, por edhe lidhjen e qytetit me zonat rurale. Janë disa projekte që ne si Ministri e Infrastrukturës do t’i mbështesim”.
“Mitrovica këtë vit do të përfitojë edhe tunelin që është në hyrje të Mitrovicës, të cilin Ministria e Infrastrukturës e ka marrë përsipër dhe jemi në procedura për sanimin e tij, i cili do të jetë sipas standardeve evropiane. Po ashtu është duke u punuar në fillimin e punimeve për autostradën Prishtinë-Mitrovicë, dhe jemi zotuar së bashku me kryetarin dhe bashkëpunëtorët, që të fillojë sa më parë ky projekt aq i pritur nga qytetarët dhe që ndikon në zhvillimin ekonomik”.
“Unë e falënderoj kryetarin për të gjitha që po i bënë për Mitrovicën në infrastrukturë, por edhe në segmentet tjera, dhe themi që Qeveria e Kosovës, Z. Haradinaj dhe ne si Ministri e Infrastrukturës, do të jemi mbështetës të fuqishëm të Mitrovicës. Mitrovica ka nevojë edhe për zhvillim ekonomik si dhe për investime të tjera si arsimi dhe shëndetësia, por edhe në siguri. Ju siguroi se ne do të jemi mbështetës të fuqishëm të të gjitha projekteve, që ndikojnë në zhvillimin e Mitrovicës”, tha ministri Lekaj.
Bëhet fjalë për projektet për ndërtimin e rrugës në fshatin Kavaqicë i cili arrin vlerën 1,153,720 euro, ndërsa për ndërtimin e rrugëve në Stan Terg, me vlerë të 543,277 eurove.
Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeve, i pari i Mitrovicës tha se kjo mbështetje nga ministria që drejton Lekaj ka një rëndësi të madhe për Mitrovicën dhe qytetarët tanë, ai më tutje ka shtuar se kjo ujdi do jetë një nisje e mirë drejtë realizimit të projekteve madhore që ka komuna jonë për qytetarët e Mitrovicës.
Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, e ka falënderuar ministrin Lekaj për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, e cila sipas tij i jep një shtytje infrastrukturës së Mitrovicës dhe projekteve infrastrukturore të saj. Bahtiri ka thënë se këto nuk do të jenë projektet e vetme ku bashkëpunohet me ministrin Lekaj, respektivisht Ministrinë e Infrastrukturës, ngase siç tha ai synim i të gjithëve është që ta bëjnë shtetin e Kosovës, shtet evropian dhe me infrastrukturë moderne dhe zhvillim ekonomik.