Bahtiri: Për situatën e qetë në Mitrovicë, meritore Policia e Kosovës

Prishtinë | 10 Jan 2017 | 16:43 | Nga

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe komandanti i stacionit jugor të policisë së Kosovës në Mitrovicë, Ahmet Gjosha, kanë vlerësuar se situata e përgjithshme, në veçanti ajo e rendit dhe sigurisë në komunë, është mjaftë e qetë dhe se ky trend pozitivi është duke vazhduar një kohë të gjatë.

Në takimin që u mbajt në ndërtesën e komunës, kryetari Bahtiri dhe komandanti Gjosha vlerësuan lartë bashkëpunimin ndërmjet këtyre dy institucioneve, bashkëpunim ky që ka dhënë rezultate pozitive në stabilizimin e gjendjes së përgjithshme në komunë.

Kryetari Bahtiri, i tha komandantit Gjosha se punën e mirë që po e bënë policia e Kosovës në Mitrovicë, në të mirë të qytetit dhe qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike, janë duke e vlerësuar lart vet qytetarët e komunës, të cilët ia kanë thënë këtë gjatë bisedave që ai ka pas me ta.

Bahtiri në veçanti theksoi suksesin e policëve të stacionit jugor në zbardhjen e veprave penale ”vjedhje të rënda”, të cilët kanë arritur që të identifikojnë dhe arrestojnë dy persona të dyshuar, nga një grup i keqbërësve për përfshirje në disa raste të vjedhjeve të rënda, për ndriçimin e të cilave qytetarët kishin kërkuar edhe ndihmën e autoriteteve komunale, përpos asaj policore.

“Unë shfrytëzoj rastin që juve z. Komandant Gjosha dhe policët tuaj., t’i falënderoj shumë dhe t’i përgëzoj për punën e madhe dhe të suksesshme që kanë bërë dhe po bëjnë në Mitrovicë. Falë kësaj pune tuaj, qytetarët e Mitrovicës sot dihen më të sigurt se kurrë më parë pas lufte, prandaj edhe njëherë shpreh mirënjohjen time dhe në emër të qytetarëve për këtë punë të suksesshme që po bëni dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë”.

Komandanti i stacionit jugor policor, Ahmet Gjosha, po ashtu vlerësoi lartë bashkëpunimin e me drejtuesit e komunës për të mirën e qytetit dhe qytetarëve të saj.

“Ne kemi një bashkëpunim të mirë me ju drejtuesit e komunës, por edhe me qytetarët. Dhe, falë këtij bashkëpunimi policia ka arritur rezultate shumë të mira që i kanë kontribuar mjaft stabilizimit të gjendjes në përgjithësi. Këtyre sukseseve po u shtohen dita-ditës dhe sukseset e hetuesve në zbulimin e veprave të ndryshme kriminale dhe luftën kundër dukurive të dëmshme shoqërore. Kjo është punë e jona dhe ne po mundohemi të bëjmë sa më mirë që mundemi. Jemi të kënaqur me faktin se institucionet dhe qytetarët e komunës po e vlerësojnë këtë”, tha Gjosha ndër të tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme