Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot ka pranuar një peticion me rreth 115 nënshkrime nga qytetarët e lagjes “Kroi i Vitakut” nga qyteti i Mitrovicës, të cilët kanë shprehur shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre lidhur me ndërtimin e banesave kolektive të destinuara për pjesëtarët e komunitetit serb.
Sipas Komunës së Mitrovisës, Bahtiri është solidarizuar me qytetarët e kësaj lagjeje, ai kërkon nga Presidenti, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, të ndërmarrin veprimet e nevojshme duke u bazuar në kompetencat e tyre, për ndërprerjen e këtyre ndërtimeve të që sipas tij konsiderohen të paligjshme dhe ilegale.
Bahtiri thekson se iniciativa të tilla janë diskriminuese ndaj popullatës shqiptare në atë pjesë të qytetit, duke marrë parasysh edhe faktin që nga pjesa veriore e Mitrovicës janë zhvendosur mbi 15 mijë shqiptarë, ku shumica prej tyre edhe sot e kësaj dite nuk kanë mundur të kthehen në pronat e tyre.
Ai shpreson që zëri i ngritur i këtyre qytetarëve i shprehur përmes këtij peticioni të merret parasysh dhe kërkesa të realizohet sa më parë.