Për të marrë ujë që buron nga bjeshkët e Shalës së Bajgorës tash e tutje duhet të paguhet me para.
Banorët e këtij lokaliteti kanë filluar ta shesin ujin që rrjedh nga burimet natyrore. Televizionit publik ata i kanë thënë se kanë vendosur ta bëjnë këtë pasi që interesimi i njerëzve për këtë ujë është shumë i madh.
Dhjetë litra ujë në Bajgorë kushton 10 centë.
Ujin e Shalës së Bajgorës e kanë konsumuar shumë qytetarë që kanë vizituar këto bjeshkë. Ata me vetura kanë shkuar ta marrin ujin që deri tash ka qenë pa pagesë.
Bjeshkët e Shalës së Bajgorës i vizitojnë shumë njerëz por ata që e frekuentojnë më së shumti janë nga Mitrovica, Vushtrria, Podujeva, Prishtina dhe qytetet e afërta me këto bjeshkë.