Themelimi i Fondit Sovran, do t’i hapë rrugë zhvillimeve kapitale në vend. Kështu vlerëson Emanuel Bajra, një nga themeluesit e këtij fondi. Por ndryshe vlerësojnë njohës të ekonomisë, sipas tyre, kjo është një iniciativë e dështuar dhe pa asnjë dobi për tregun e Kosovës.
Themelimi i Fondit Sovran ndër të tjera parasheh krijimin e tregut të kapitalit në vend. Kështu vlerëson për Radio Kosovën Emanuel Bajra, anëtar i Grupit Punues për Fondin Sovran, derisa ka kërkuar nga Parlamenti i Kosovës që të procedojë tutje. Bajra tha se për të filluar punën ky fond, qeveria do t’i japë 20 milionë euro, por që, sipas tij, kanë përcaktuar disa përkufizime që nuk ia mundësojnë qeverisë ndërhyrjen menaxheriale e komerciale në fond.
“Është shumë e rëndësishëm për ne që njerëzit ta kuptojnë se ekipin menaxhues apo drejtues të fondit nuk e përcakton Parlamenti, por përcaktohen kriteret e punësimit nga bordi duke pasur parasysh nivelin e konkurrencës, kompetencave dhe bagazhit të eksperiencave se këta njerëz do të bëjnë në fond. Pra, kufiri është shumë i qartë edhe në aspektin e mënyrës sesi do të qeveriset fondi. Pra fondi do të qeveriset nga një ekip menaxhues që nuk është i përcaktuar nga parlamenti, por janë profesionistët ata që do ta menaxhojnë këtë fond”, tha ai.
Por, ekonomisti Erton Bega vlerëson se iniciativa për Fondin Sovran është e dështuar. Sipas tij, kalimi i ndërmarrjeve publike nën menaxhim të Fondit Sovran, nuk sjell dobi për tregun e Kosovës.
“Siç shihet në tri vjet qeverisje, ende nuk kanë arritur që ta kalojnë ligjin. Do të duhet edhe një mandat i dytë për ta operacionalizuar si fond, për këtë institucion nuk ka konsensus politik. Nuk është i mirë për disa arsye, sepse nuk sjell asnjë vlerë të shtuar në menaxhimin e ndërmarrjeve publike në krahasim me ligjet aktuale, kriteret e punësimit janë të mira edhe në ligjet aktuale. Kjo më tepër është një lojë për të arsyetuar mos-menaxhimin e duhur të ndërmarrjeve publike”, tha ai.
Ndryshe, disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran janë: Korporata Energjetike e Kosovës, Kombinati metalurgjik Trepça, Trainkos-i, Infrakos-i e të tjera.