Avokati Ardian Bajraktari i ka bërë thirrje prokurorit të shtetit që të veprojë, pasi Komuna e Prishtinës, s’e ka përfillur vendimin e Gjykatës Komerciale, dhe ka nisur punimet në rrugën “Rexhep Luci” për të ndërtuar minishsesh.
Grupi “KOHA” më 28 gusht 2023, nëpërmjet avokatit Bajraktari, ka ushtruar padi ndaj vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama të marrë më 18 gusht 2023, për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike të rrugëve të kryeqytetit të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare, duke kufizuar edhe të drejtën e Grupit “Koha” për të qarkulluar brenda parkingut të vet dhe rrugëve “Rexhep Luci” e “Qamil Hoxha”.
Në aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, u anulua vendimin e Komunës së Prishtinës për mbylljen e tyre.
Bajraktari ka thënë se është praktikë e rrezikshme mospërfillja e gjykatës dhe moszbatimi i vendimeve të saj. Ai ka thënë se pos që është vepër penale është edhe praktikë e rrezikshme.
“Urdhri, vendimi apo aktgjykimi i plotfuqishëm i gjykatës në Republikën e Kosovës, duhet të zbatohet. Kushdo që nuk i bindet, këtyre, kryen vepër penale, të përcaktuar me nenin 393, të Kodit penal, shkalla e ndryshueshmërisë është me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj. Po ashtu, edhe mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore, ku sipas nenin 394, personi zyrtar apo personi përgjegjës i cili refuzon të ekzekutojë urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm të ndonjë gjykate të Republikës së Kosovës apo i cili nuk e ekzekuton vendimin brenda afatit ligjor apo afatit të caktuar me vendim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet. Raste të tilla, fatkeqësisht ka. Një i tillë është shumë i freskët, ku edhe përkundër që krahas aprovimit të padisë, Gjykata Komerciale ka lënë në fuqi masën e përkohshme përkatësisht ka shtyer ekzekutimin e vendimit të komunës së Prishtinës, për mbyllje për qarkullim të disa rrugëve, masë kjo e cila do të zgjatë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, megjithatë, kanë filluar punimet, me çka përbën mos përfillje të gjykatës. Përfillja e gjykatës dhe zbatimi i vendimeve të sajë është detyrim, prandaj Prokurori i shtetit duhet të veprojë që me qëllim që kjo praktikë e rrezikshme të mos instalohet në institucionet tona, qoftë të nivelit qendror, qoftë të atij lokal”, ka shkruar Bajraktari në Facebook.
Komuna e Prishtinës ka nisur të mërkurën në mëngjes punimet për ndërtimin e minisheshit në rrugën “Rexhep Luci” në qendër të qytetit, pavarësisht vendimit të Gjykatës Komerciale për hapjen e këtyre rrugëve dhe kundërshtimeve të banorëve të lagjes.