Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se rritja e taksave gjyqësore është jo proporcionale dhe përbën një barrë të madhe për qytetarët, duke thënë se ato duhet të rishikohen dhe të ulen, në përputhje me gjendjen ekonomike dhe sociale në vend.
Bajraktari në një intervistë për Ekonomia Online, duke komentuar opinionin e publikuar nga Avokati i Popullit lidhur me taksat gjyqësore, ka thënë se raporti është i qëlluar, ndonëse sipas tij është publikuar me vonesë, pasi taksat gjyqësore tashmë janë ndryshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Vlerësoj që raporti është i qëlluar, ndonëse në bindjen time është paksa i vonuar për faktin se, siç dihet, taksat gjyqësore ka kohë që janë ndryshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, natyrisht si organ kompetent për të vendosur për këtë çështje. Mirëpo, në bindjen time, një rritje është jo proporcionale, është e paanalizuar mjaftueshëm dhe mbi të gjitha është një barrë jashtëzakonisht e madhe për qytetarët, për kategori të ndryshme të qytetarëve, pavarësisht faktit që referuar legjislacionit, përfshirë edhe këtij udhëzimi administrativ, një pjesë, një kategori e caktuar e qytetarëve lirohen nga taksat. Mirëpo megjithatë, edhe përkundër kësaj, vlerësoj që rritja e taksave është jo proporcionale”, tha ai.
Ai ka kërkuar që Këshilli Gjyqësor i Kosovës të reflektojë ndaj rekomandimeve dhe kërkesave të Avokatit të Popullit, duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës kanë detyrim kushtetues të veprojnë në raport me kërkesat e këtij institucioni.
“Prandaj le të shpresojmë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet me reflektuar në raport me rekomandimet, me kërkesat, sepse në instancë të fundit është detyrim edhe kushtetues, për faktin se referuar dispozitave kushtetuese që flasin për rolin dhe përgjegjësinë e institucionit të Avokatit të Popullit, përcaktojnë që organet që veprojnë, përkatësisht institucionet e Republikës së Kosovës, janë të detyruara të veprojnë në raport me kërkesat e institucionit të Avokatit të Popullit”, tha ai.
Sipas Bajraktarit, rritja e taksave gjyqësore ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë probleme në qasjen në drejtësi për kategori të caktuara të qytetarëve.
“Natyrisht ka shkaktuar dhe vazhdon me shkaktuar probleme në drejtim të qasjes në drejtësi për kategori të caktuara të qytetarëve. Shkakton vështirësi sepse rritja e taksave, siç e thashë, është jashtëzakonisht e madhe, prandaj do të ishte mirë që të rishikohet ky udhëzim administrativ ashtu që të ulen taksat gjyqësore se vërtetë janë të larta bazuar në gjendjen ekonomike dhe sociale që mbizotëron në vendin tonë”, tha ai.
Ai ka vlerësuar gjithashtu se fakti që të hyrat nga taksat gjyqësore derdhen në buxhetin e Kosovës dhe nuk dedikohen drejtpërdrejt për nevojat e sistemit të drejtësisë, e bën të nevojshëm rishikimin e tyre.
“Natyrisht edhe kjo është absolutisht e qëndrueshme për faktin se këto të hyra dhe të hyrat e tjera shkojnë direkt në buxhetin e Kosovës, nuk dedikohen për nevojat e sistemit të drejtësisë, për çka natyrisht që vetëm sa shkon në funksion të asaj që duhet me u rishikuar sepse arsyeja dhe arsyeshmëria në bindjen time janë të paqëndrueshme sepse nuk ndikon drejtpërdrejt në shtimin e efikasitetit, në shtimin e punës së sistemit gjyqësor. Prandaj vlerësoj që për aq kohë sa kemi një buxhet të vendit i cili nga viti në vit ka suficit, vlerësoj që është absolutisht e nevojshme që të rishikohet dhe për aq sa është e mundur të ulet kjo barrë shtesë për qytetarët e vendit”, tha ai për Ekonomia Online.
Një raport i publikuar nga Avokati i Popullit vlerëson se taksat gjyqësore mund t’ua mbyllin qytetarëve derën e drejtësisë. Taksat gjyqësore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ Nr. 03/2025 mund të krijojnë pengesa disproporcionale për qytetarët që kërkojnë drejtësi, ka vlerësuar Avokati i Popullit në një opinion të publikuar të enjten.
Institucioni ka analizuar ndikimin e këtij udhëzimi në realizimin e së drejtës për qasje në drejtësi dhe ka ngritur shqetësime lidhur me përputhshmërinë e tij me standardet kushtetuese dhe evropiane.
Sipas Avokatit të Popullit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka kompetencë për miratimin e skemës unike të taksave gjyqësore, por kjo kompetencë duhet të ushtrohet në përputhje me të drejtën për qasje efektive në drejtësi dhe me parimin e proporcionalitetit.
Një tjetër çështje e ngritur nga Avokati i Popullit lidhet me destinimin e të hyrave nga këto taksa.
Sipas opinionit, taksat e përcaktuara me UA Nr. 03/2025 derdhen në Buxhetin e Kosovës dhe jo drejtpërdrejt në buxhetin e sistemit gjyqësor.
Për këtë arsye, IAP vlerëson se kjo “dobëson lidhjen ndërmjet rritjes së taksave dhe përmirësimit të funksionimit të gjyqësorit”.
Avokati i Popullit konsideron se çdo rritje e taksave duhet të arsyetohet në mënyrë të veçantë dhe të mbështetet në vlerësime konkrete për ndikimin e saj në qasjen e qytetarëve në drejtësi.
Sipas opinionit, problematike mund të jenë jo vetëm shumat e taksave, por edhe pagesat shtesë për ushtrimin e mjeteve juridike dhe pasojat procedurale që mund të shkaktohen në rast të mospagesës.