Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e përvitshëm për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022 për Kosovën, në të cilin përmendet korrupsioni i lartë qeveritar dhe mungesa e hetimit dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore.
Alban Bajrami, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje në Parlamentin e Kosovës thotë se nuk e ka lexuar raportin e DASH-it, por thekson se lufta kundër korrupsionit është element bazik i çdo shteti normal.
“Në raport me atë se cfarë duam, natyrisht që ka hapësirë shumë për të bërë edhe më mirë.
Mendoj se kjo qeveri i ka pasur dy rrugë, në të cilat është dashur të shkojë fuqishëm përpara dhe besoj se deri diku e ka arritur këtë gjë. Lufta kundër korrupcionit është element bazik i cdo shteti normal”, deklaroi Bajrami në Klan Kosova.
Megjithëse, raporti i DASH-it përmend nivelin e korrupsionit edhe në instancë qeveritare, deputeti i mazhorancës shpjegon se Kosova, gjithashtu është renditur në pozita më të larta në indekset tjera. Bajrami shpjegon se luftimin e korrupsionit nuk mund ta bëjë vetëm kryeministri Kurti dhe qindëra zyrtarë qeveritarë janë arrestuar.
“Albin Kurti nuk është kryeprokuror e as kryegjykatës i këtij vendi. Ai është kryeministër dhe ka dallim shumë kjo gjë. Ne e bëjmë denoncimin, kërkojmë nga prokuroria dhe gjyqësori të ndjek secilin veprim që e bën qeveria dhe zyrtarët qeveritarë. Ka pasur shumë arrestime në këto dy vjetët e fundit, ku 301 zyrtarë publikë të cilët janë arrestuar”.
”Në qoftë se, raporti thotë se ka veprime korruptive, atëherë do të thotë se këtu kemi edhe arrestime. I bie që ne i kemi hapur rrugën sikurse prokurorisë, ashtu edhe gjyqësorin të vazhdojë të ndjekë secilin që pretendon ose ka keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës. Prandaj, ka dallim të madh të thirresh në ndjekje dhe të mbrosh ata që vjedhin”, thotë Bajrami.