Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim përfaqësuesit e kompanisë “Sutherland Global Services” nga Amerika, Sushmit Sarkar, Kamelia Panayotova dhe Antoniya Petrova.
Në këtë takim u diskutua për mundësitë që ofron Kosova për investitorët e huaj. Me këtë rast, ministrja Bajrami i informoi investitorët për reformat programore që ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës në përmirësim të ambientit të të bërit biznes.
Ndër të tjera, ministrja Bajrami përmendi Ligjin për Investime Strategjike, zhvillimin e Zonave Ekonomike dhe unifikimin e numrit të biznesit.
Ministrja Bajrami u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës do të ofrojë përkrahje të vazhdueshme për të gjithë investitorët e interesuar për të investuar në Kosovë.
Në anën tjetër, afaristët falënderuan ministren Bajrami për pritjen dhe shprehën interesim për të investuar në Kosovë në fushën e teknologjisë informative.