Bajrami tregon se kush është përgjegjës për ndërprerjet e energjisë elektrike

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 17:53 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndërprerjen e energjisë elektrike, derisa ka thënë se për furnizimin me energji elektrike është përgjegjës kompania private KESKO, kurse Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT) e ka për detyrë të bëjë balancimin e energjisë.

Bajrami ka thënë se si opozitë nuk po e kritikojnë qeverinë për krizën energjetike, për shkak se kjo krizë është në gjithë botën, por që po e kritikojnë për shkak të rolit të spektatorit që po luajnë dhe për masat e vonshme drejt furnizimit me energji.

“Sikur këto masa që kanë ardhur sot për t’u aprovuar në Kuvend do të merreshin para 2-3 muajve unë besoj që situata do të ishte më ndryshme sot. Jemi në një situatë aspak të mirë. Është gjendja kur KOSTT’i ka tërhequr 30.8 milionë euro nga interkoneksioni evropian. KOSTT’i e ka si obligim dhe përshkim të detyrave që me e bo balancin e energjisë, do të thotë kurr nuk ka këtu ajo e merr, në të njejtën kohë kur kemi shumicë ajo e qetë në rrjet dhe pastaj ajo shpërndahet dhe blehet në forma të ndryshme“, ka thënë ajo

Bajrami është shprehur se Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) është e obliguar me kontratë që të furnizojë Kosovën me energji elektrike.

Megjithatë sipas saj, kjo kompani nuk është duke importuar asnjë megavat orë energji elektrike për shkak të çmimit të lartë, shkruan Express.

“Për furnizimin me energji elektrike është përgjegjëse kompania private që është KESKO. KESKO e cila është kompani private dhe është e obligume me kontratë me e furnizu Kosovën me energji elektrike, nuk është duke importu asnjë megavat orë energji elektrike për shkak të çmimit të lartë. Në situata të tilla të gjitha institucionet është dashur të bëhen bashkë dhe të gjejnë zgjidhje. KEK’u si kompani publike ia paraqet planin e prodhimit vjetor i cili është i ndarë në muaj e gjithashtu edhe në ditë, por KEK’u është përgjegjës për sasinë që e premton gjatë 24 orëve“, ka shtuar ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme