Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka thënë se barrierat me të cilat po ballafaqohen bizneset vendëse janë si rezultat i së kaluarës, kur Kosova sipas saj ka qenë në “komë ekonomike”.
Këto komente ministrja Bajrami i bëri gjatë një ligjërate të hapur në Kolegjin ILIRIA me temën “Ambienti i Biznesit dhe kontributi i MTI-së në përmirësimin e tij”, raporton Ekonomia Online.
Bajrami para studentëve ka folur për rolin dhe përgjegjësinë e kësaj ministrie karshi përmirësimit të mjedisit për të bërit biznes.
E para e MTI-së, ka thënë se ministria që ajo drejton ka nxjerr një sërë ligjesh që kanë qenë kërkesa të bizneseve me anë të së cilave janë munduar të ulin burokracinë dhe tendencën e korrupsionit.
Ajo ka thënë se MTI kanë arritur të bëjë unifikimin e numrave të bizneseve që ka ndikuar në uljen e evazionin fiskal, ku ka thënë se Kosova ka rritur numrin e standardeve.
Në këtë ligjëratë, Bajrami ka folur edhe për licencimin e pikave të karburanteve në veri të Kosovës, investimet e jashtme dhe të brendshme, si dhe për përpjekjet e Qeverisë për të përmirësuar imazhin para investitorëve të huaja, pasi që sipas saj ky imazh u dëmtua gjatë bllokadës politike në vitin 2015.