Kosova ende nuk ka ndërtuar një shoqëri ligjore ku Kushtetuta respektohet dhe ndërtohet një kulturë politike si në kushte paqeje, tha në një intervistë për Ekonomia Online, njëri nga hartuesi e Kushtetutës, profesori Arsim Bajrami.
Bajrami më tej ka shtuar se Kushtetuta u abuzua nga partitë politikë ne luftën për pushtet, duke shtuar se dy presidentë kanë dhënë dorëheqje, janë bërë dhjetëra shkelje nga institucionet qendrore dhe lokale.
Në nëntë vjetorin e ratifikimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Bajrami ka kujtuar se dhjetë ligje janë anuluar nga Kuvendi i Kosovës për shkak të shkeljes së Kushtetutës.
“Problemet tjera qëndrojnë me shkeljet e vazhdueshme që i janë bërë Kushtetutës në nivele të ndryshme shtetërore me krizat kushtetuese, me abuzimet që i janë bërë Kushtetutës nga ana e partive politike për luftën për pushtet dhe si pasoje e kësaj Gjykata Kushtetuese ka pasur mjaft lëndë të një peshe të madhe politike për ta rivendosur Kushtetutën dhe për të eliminuar të gjitha shkeljet që janë bërë nga partitë politike të kujtojmë më shumë se 10 ligje të anuluara nga Kuvendi i Kosovës për shkak të shkeljes së saj”.
Tutje, ai pohoi se problemi më i madh është që Kushtetuta akoma nuk zbatohet në tersi në pjesën veriore.
Bajrami ka shtuar se Kosova ka një Kushtetutë të shkëlqyer që është vlerësuar edhe nga ekspert ndërkombëtarë.
“Problemi më i madh është që kjo Kushtetutë akoma nuk zbatohet në tersi në pjesën veriore të Kosovës dhe funksionon me ndikimin e legjislacionit serb dhe nuk e kemi funksionalizuar në pjesën veriore”.
“Më shumë se interpretime ka abuzime të Kushtetutës sepse Kushtetua është shumë e qartë dhe Kosova ka një Kushtetutë të shkëlqyer dhe është vlerësuar edhe nga ekspert ndërkombëtar”.
Sipas tij, Kushtetuta duhet të ndryshohet sa i përket zgjedhjes së presidentit, krejt kjo me qëllim që kreu i shtetit të zgjidhjet drejtpërdrejt nga populli, por që mos të ketë kompetenca shtesë.
“Akoma nuk jemi një shoqëri e pjekut për këtë Kushtetutë sepse kjo Kushtetutë kërkon një shoqëri të edukuar në nivelin politik, por ka hapësirë për ndryshime të Kushtetutës. Do të duhej të ndryshohej Kushtetua në aspektin e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të gjendjes së presidentit do të duhej të miratohen amendamentet kushtetuese që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli pa i shtuar asnjë kompetencë sepse edhe ashtu ka mjaftë kompetenca”.
Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.
Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.