Nënkryetarja e LDK-së dhe deputete e Kuvendit të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas raportimeve se Bashkimi Evropian nuk do të heqë shpejt masat ndaj Kosovës.
“Masat ndëshkuese të Bashkimi Evropian e kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës. Është indikacion që janë thyer aleancat për ndërtimin e të cilave është punuar më shumë se 30 vite”, tha Bajrami, raporton Ekonomia Online.
“Përveç dëmtimit të imazhit ka dhe dëmtime financiare. Vetëm në trajtimin e ujërave të zeza në ujërat e pijshëm janë 293 milionë projekte që janë qe një vit te bllokuara”, tha Bajrami, cila drejton Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Sipas saj, kjo është ëndrra më e keqe që i ka ndodhur Kosovës.
“As në ëndrrat e tona më të këqija nuk e kemi paramendu qe do të vijë kjo ditë. Bëjmë thirrje që të hiqen këto masa sepse po ndëshkohen qytetarët”, tha ajo.
Në Bashkimin Evropian nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Por, si kompromis pritet që këto masa të hiqen pjesërisht dhe gradualisht, raportuan sot mediet.
Bajrami i bëri komentet pas takimit që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të enjten mbajti me grupin e ekspertëve te shëndetësisë. Ajo bëri të ditur se ky organizim ka në fokus fushatën “Rruga e re” dhe për të folur për sfidat e shëndetësisë, raporton EO.
Bajrami tha se mungesa e ekspertëve është një nga problemet me të cilat përballet sektori i shëndetësisë, sikurse dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore dhe e barnave.
“Është takim i rregull i departamentit të shëndetësisë dhe sot jemi mbledhur për t’i shqyrtuar problemet e shëndetësisë… Pritjet për barna janë të mëdha, mungesë totale sa i përket sigurimeve shëndetësore, si dhe nuk ka investime në pajisje”, tha Bajrami.