Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, i ka quajtur tendencioze deklaratat e Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës në lidhje me praninë e vajit të palmës në produktet e qumështit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Bajrami ka thënë se analizat që bëhen nga një shoqatë duket të jenë tendencioze për anëtarët e shoqatës tjetër “dhe lënë shumë për të dëshiruar”.
Ministrja ka tërhequr vërejtjen se kjo “luftë” e dëmton prodhimin vendës.
“Nga këtu kisha shfrytëzuar mediumin tuaj që t’iu bëj thirrje shoqatave të qumështarëve që ata asnjëherë me deklarata të tilla, me tentativa të tilla mos ta dëmtojnë prodhimin vendës, sepse në fund ata nuk do të dëmtojnë vetëm konkurrentët e tyre, por gjithsesi do të dëmtojnë edhe veten e tyre”, ka theksuar Bajrami.
Kreu i MTI-së ka rikujtuar se Kosova e ka Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), e cila bënë analiza rreth cilësisë së produkteve ushqimore.
Së fundi, AUV ka deklaruar se të gjitha produktet e qumështit kontrollohen dhe nuk ka vend për shqetësim, pasi ato i plotësojnë standardet e kërkuara.
“Qytetarët e Kosovës nuk do të ndalen me shiku se të kujt janë ato analiza dhe besoj që krejt ky diskutim që ka qenë ditëve të fundit ka me ndikuar në rritjen e perceptimit negativ për produktin vendor, në këtë rast për produktet e qumështit pa marrë parasysh të cilës kompani ato janë”, ka thënë Bajrami.
(Intervista e plotë me ministren e Tregtisë dhe Industrisë do të publikohet të shtunën)