Bajrami: Mësimdhënësit në diasporë po e ruajnë gjuhën dhe identitetin kombëtar

Prishtinë | 20 Nën 2016 | 13:35 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, mori pjesë në Samitin e parë Diaspora Shqiptare me moton “Të pandarë për Shqipërinë”, i cili po mbahet në Tiranë.

Në këtë samit po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore te Kosovës dhe Shqipërisë si dhe rreth 2000 mërgimtarë tanë nga të gjitha vendet e botës ndërsa po diskutohet në panele të ndara për çështje të; arsimit, zhvillimit ekonomik, turizmit, diplomacisë dhe sektorë tjerë .

Bajrami, së bashku me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ishin panelistë në seancën për edukimin ku u fol për organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë, sfidat dhe mundësitë , i cili zgjoi interesim tek të pranishmit, shumica e të cilëve qenë intelektual të profileve të ndryshme, mësimdhënës në diasporë, arbëreshë dhe mërgimtarë tjerë.

Ministri Bajrami, me këtë rast, ka përgëzuar të gjithë mësimdhënësit e angazhuar në procesin e mësimdhënies në diasporë të cilët siç tha ai po bëjnë një punë të shkëlqyeshme për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe dhe të identitetit kombëtar.

Ndërsa shtoi se ky samit historik , është një mundësi e mirë për të gjithë që të bashkëbisedojmë për së afërmi për sfidat që kemi dhe mundësitë për tejkalimin e tyre duke shfrytëzuar kapacitetet që kemi.

Në vazhdim , ministri Bajrami theksoi rëndësinë e Kurrikulës së përbashkët dhe Abetares si dhe Draftin e final të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për organizimin e përbashkët të mësimit të Gjuhës Shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë , si një hap i rëndësishëm integrues gjithëkombëtar.

Ai vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm në mes institucioneve më të larta të arsimit , të Kosovës dhe Shqipërisë dhe Ministrisë për Diasporë të Kosovës në funksion të mbështetjes së mësimit plotësues , bashkërenditjen në aktivitete të ndryshme për t`mbajtur gjallë dhe gjuhën dhe traditën tonë kudo që jetojnë bashkatdhetarët tanë

“Ky angazhim i përbashkët ndërinstitucional gjithsesi do të ndikojë edhe në sensibilizimin e prindërve për dërgimin e fëmijëve në mësimin plotësues, por do të reflektohet edhe ngritjen e cilësisë në mësimdhënie”, theksoi ministri Bajrami.

Në këtë samit, u theksua nevoja e krijimit te ne data-baze për të gjithë intelektualët, punonjësit shkencor që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës , gjë që siç u tha, do të krijonte mundësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë , por edhe te mbështetjes të të rinjve tanë që eventualisht vazhdojnë studimet jashtë vendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme