Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Qëndrim Kryeziu, ka mbajtur konferencë për media, ku ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, “nuk mund të jetë edhe moralist edhe mashtrues”, ndërsa e ka quajtur edhe “super hajn”, raporton Ekonomia Online.
Ai ka përmendur disa çështje, për të cilat tha se Kurti po mashtron opinionin publik.
“Javën e kaluar, ditën e premte, isha në veri për të demonstruar se si ende funksionon dinari serb dhe se si ende strukturat paralele janë duke funksionuar, një gjë që do ta dëshmoj sot nga zemra e Kosovës, ku të gjitha ato që ia kam gjetur do t’ia qes në këtë zarf dhe do t’ia nisi nga posta paralele serbe në Graçanicë”, ka thënë ai.
Gjatë konferencës, Kryeziu në zarf futi një letër dhe një pako me cigare.
Ai tha se ka vizituar disa biznese, duke përmendur një fabrikë në Prizren, për të cilën tha se është mbyllur dhe se aty kanë punuar 22 punëtorë dhe 12 fermerë bashkëpunues.
“Secili fermer kishte nga 15 deri në 20 punëtorë të rregullt dhe, në kohë sezoni, kjo fabrikë dhe fermerët e saj kishin deri në 30 punëtorë. Do të thotë, i dashur Albin, mbi 220 punëtorë i ke larguar duke e dëmtuar dhe duke e shkatërruar ekonominë e vendit tonë, andaj edhe kjo fabrikë që është mbyllur po ta nisi prej tyre dhuratë. Rrugës prej Prizrenit duke shkuar për Gjakovë takova qindra biznese të cilat ishin mbyllur, ishin mbi 185 biznese, por disa nga to ishin këto që bëjnë përpunimin e rërës dhe zhavorrit. Tash e dy vjet ua kanë marrë licencat, janë mbi 10 mijë punëtorë që janë larguar nga vendi i punës, kryeministër. Si duket ti nuk je argat i këtij vendi për me punu, por argat i ndonjë vendi tjetër. Në vend se me punu ne, me ndërtu e me zhvillu vendin, ti shkon e i mbyll bizneset. Mbi 10 mijë punëtorë i ke larguar prej punës, të cilët kanë marrë rrugën e Evropës për shkakun tënd dhe këtë zhavorr ma kanë dhënë dhuratë për me ta dhënë ty, që 10 mijë punëtorë i ke larguar prej vendit të punës”, tha ai.
Ai gjatë konferencës përmendi edhe ligjin për shtetësinë, duke pyetur sërish se “argat i kujt është Kurti”.
“Gjithashtu, përveç këtyre dëmeve që i ke bërë, e ke bërë edhe një dëm tjetër duke lejuar ligjin për regjistrimin e popullsisë serbe, apo atyre izbeglicave që i kanë thënë se kanë jetuar deri në janar 1998. Izbeglica kanë të drejtë me ardhë sot me u regjistru dhe me marrë pasaportën. Kur ta marrin pasaportën, kanë të drejtë me marrë edhe pensionin e Kosovës pa kontribuuar, pa dhënë asgjë për këtë vend. Do të thotë, argat i kujt je?”, u shpreh ai.
