Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka mbajtur mbledhje. Në rend dite ishte shqyrtimi i Raportit Vjetor i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2017 si dhe Shqyrtimi i Raportit me amendamente i Projektligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Hykmete Bajrami tha se në Kosovë ka monopol të energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online.
“Kemi ankesa të vazhdueshme të bizneseve kosovare lidhur me kategorizimin që e bën KESCO. Unë mendoj që nuk ka liberalizim të tregut, sepse nëse do të ekzistonte edhe operatorët tjerë do të gjenin konsumatorë. E verteta është që ka monopol në tregun e energjisë së vendit. KEDS është pronar i KESCO-s, prandaj duhet të jemi real”.
Arsim Janova, ushtrues detyre i kryetarit të Bordit të ZRRE-së, tha se ZRrE ka nxjerr udhëzues për liberalizim të tregut të energjisë.
Në bazë të ligjeve të reja të energjisë, në janar të vitit 2017 ZRrE ka nxjerrë udhëzues për liberalizim të tregut të energjisë. Për furnizim të konsumatorëve me energji elektrike janë të licensuara 3 operatorë: GSA, HEP dhe KESCO, dhe vetëm KESCO është funksionale. ZRrE gjatë vitit 2017 ka bërë përshtatjen e re për të hyrat maksimale. Nga data 1 prill ZRrE ka ndryshuar strukturën tarifore, ka dërguar tarifat verë-dimër.
Ai përmendi disa nga sfidat që është përballur ZRrE gjatë vitit 2018.
“ZRrE gjatë vitit 2017 është ballafaquar me disa kontekste gjyqësore, një ndër to është edhe vendimi i Gjykatës së Apelit për energjinë e pafaturuar në komunat në Veri. Ndër vite, energjia e faturuar ka pasur rritje të vazhdueshme. Cilësia e furnizimit me energji është mjaftë cilësore. Humbjet në rrjetet e transmisionit janë në vlerën normale”.
“ZRrE gjatë përmbushjes së veprimeve të veta ka pasur mbështetjen e organeve vendore dhe ndërkombëtare. Viti 2017 ka qenë shumë sfidues ku bordi ka qenë jofunksional vetëm me dy anëtarë”.
Petrit Pepaj, drejtor menaxhues në ZRrE, tha se mosfunksionimi i dy operatorëve është se nuk mund të gjejnë konsumatorë, raporton EO.
“Ne kemi pasur një bisedim me dy operatorë të tjerë dhe i kemi pyetur pse nuk kanë konsumatorë, mirëpo arsyeja e mosfunksionimit të tyre është se nuk mund të ofrojnë çmime të favorshme për konsumatorin. Kemi kapacitete të kufizuara. KEK-u ka obligim të japë energji vetëm me konsumatorët që janë të rregulluar. Të dy operatorët nuk janë operatorë vendorë, një është nga Shqipëria dhe një nga Kroacia”.