Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti në takim përfaqësuesit e FMN-së në Kosovë, të udhëhequr nga Jacques Miniane.
Me këtë rast, ministrja Bajrami ka njoftuar përfaqësuesit e FMN-së lidhur me aktivitetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në lidhje me përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat, përmirësimit të klimës të të bërit biznes, heqjen e pengesave për bizneset, rregullimin e tregut të brendshëm dhe ngritjen e kapaciteteve në infrastrukturën e cilësisë.
Përfaqësuesit e FMN-së në Kosovë u interesuan për projektet që udhëhiqen nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e në veçanti për Projektin e Zhvillimit të Qendrës Turistike të Brezovicës, si një projekt me potencial të madh zhvillimor dhe Ligjin për Investime Strategjike.
Në lidhje me Ligjin për Investime Strategjike, ministrja Bajrami, tha se institucionet e Republikës së Kosovës kanë hasur në vështirësi të shumta për të nxitur dhe tërhequr investimet strategjike vendase dhe të huaja si pasojë e proceduarve të pafavorshme në realizimin e investimeve, prandaj me këtë ligj synohet të lehtësohet bashkëpunimi në mes të investitorëve dhe qeverisë në zbatimin e projekteve të ndryshme investive.
Bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë e thellimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të MTI-së dhe FMN-së.