Bajrami reagon pas aksionit të OJQ-së “Global Shapers Prishtina”

Prishtinë | 07 Mar 2021 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Ish- ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami i ka reaguar OJQ-së “Global Shapers Prishtina”, e cila në një aksion simbolik ka vlerësuar me notën 1 të gjithë ministrat e Arsimit për gjendjen në shkollat e Kosovës, ndërsa u ka dhënë notën 5 për nepotizëm.

Bajrami e cila ka drejtuar arsimin në qeverinë e Albin Kurit, ka thënë se asnjë rast i nepotizmit s’ka ndodhur në kohën  kur ajo ka qenë ministrie.

Bajrami përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka bërë ndryshime në arsim duke përmendur mësim online.

https://ekonomiaonline.com/nacionale/arsim/ne-diten-e-mesuesit-protestohet-para-mash-it-ministrat-e-arsimit-vleresohen-me-noten-1/

Postimi i plotë i saj:

Kur një OJQ bëhet pjesë e korrupsionit duke barazuar të gjithë udhëheqësit e arsimit

Sot në shenjë proteste OJQ “Global Shapers Prishtina” paska vlerësuar ministrat e arsimit, çuditërisht me të njëjtat nota.

Se arsimi është në gjendje të rëndë e tregon edhe ky vlerësim i juaji, sepse vetëm një mësues i paditur, që nuk lexon asgjë, nuk dëgjon dhe nuk e ka idenë mund t’i vlerësojë të gjithë nxënësit (ministrat) njëjtë.

Mandatin në krye të MASHT-it e kam nisur më 4 shkurt 2020. Pas një muaji, më saktësisht më 11 mars është shpallë pandemia. Pas 12 ditëve kemi filluar mësimin online, me transmetim në televizionet nacionale, me orar të organizuar, me ligjërata në youtube deri te niveli parashkollor. Krejt kjo me punë ekipore, punë vullnetare, ndihmë nga donatorët dhe pa asnjë cent shtesë të shpenzuar nga buxheti i shtetit.

Në të njëjtën kohë kemi ndërruar Këshillin Drejtues të UP, duke vendosur njerëzit me kredibil që ndonjëherë ka pasur UP-ja; është funksionalizuar Agjencia e Akreditimit dhe kanë filluar akreditimet online; janë ndalë keqpërdorimet me programe të bursave, janë ndalë projektet e dyshimta; është shfuqizuar UA për gjuhet e huaja për nivelin master, që ishte komplet në kundërshtim me të drejtat e njeriut; janë shpërndarë bursat për studentet; pati filluar ndryshimi i Ligjit për Tekste dhe Mjete Mësimore dhe kishte nisur puna për koncept dokumentin për Strategjinë e Digjitalizimit të Arsimit.

NEPOTIZËM me pasni vlerësuar me notë 5 (pesë) për çka e keni fjalën?

Mos i gënjeni qytetarët! – Gjatë mandatit tim në MASHT nuk ka ndodhur asnjë punësim, asnjë, kjo është lehtë e verifikueshme.

KORRUPSION me 5 (pesë), kjo notë mund të jetë e sponsorizuar nga implementusit potencial të projekteve të dyshimta që i ndalova.

KOALICIONET edhe këtu pasna notën 5 (pesë), nuk kam asnjë koment.

Një gjë duhet ta dini; se duke i futur të gjithë në një thes, po i shërbeni korrupsionit dhe po tregoni se nuk e keni për qëllim të pasqyroni gjendjen reale por shkoni dhe t’i gënjeni donatorët me të dhëna të pavërteta.

Kush i shërben korrupsionit është i rrezikshëm.

Më të rrezikshëm se ju janë vetëm ata që ju financojnë juve bazuar në përformancat si kjo e sotmja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme