Bajrami: Investimet ranë shkaku i destabilitetit politik

Prishtinë | 25 Tet 2016 | 17:21 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka thënë se tenderi i Brezovicës ka dështuar për shkak të mos përmbushjes së kriterit financiar nga ofertuesi. Ajo ka theksuar se kontrata ka mundur të nënshkruhet, por sipas saj projekti nuk është realizuar asnjëherë për Brezovicën.

Këto komente ajo i ka bërë gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik për zhvillimet në fushë veprimtarinë e Ministrisë në realizimin e prioriteteve në aspektin buxhetor për këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Ajo tha se Qeveria ka përmbushur të gjitha obligimet ndaj ofertuesit dhe këto janë arritur qysh në gjashtë mujorin e parë sa i përket vendimeve të shpronësimit dhe gjithçka tjetër në këtë drejtim.

“Përgjegjëse për ambient të biznesit nuk është vetëm Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, por janë edhe shtatë ministri të tjera”, ka thënë Bajrami.

Ndërsa, për bilancin negativ tregtar, ajo tha se është në gjendje të marr vendim për masa reciprociteti, por sipas Bajramit nuk duhet harruar se Kosova është anëtare e CEFTA. Rënia e investimeve sipas Bajramit ka ndodhur për shkak të destabilizimit politik në vend. Ajo kërkoi të themelohet një komision profesional dhe të gjinden edhe shkaqet tjera për rënie të investimeve.

“Në periudhën janar-korrik investimet e huaja kanë shënuar 122.6 milionë euro, ku shtetet që kanë investuar më së shumti janë Turqia, Zvicra, Gjermania, Shqipëria SHBA-të dhe tjera. Mirëpo, në periudhën janar-qershor të vitit 2015 kanë qenë investime të huaja 163 milionë euro”.

Kryetari i Komisionit, Muhamet Mustafa, theksoi se Kosova ka probleme ekonomike me Serbinë, duke filluar edhe me tregti, sepse sipas tij, nuk është normale që eksportet vjetore me Serbinë të jenë 15 milionë euro, kurse importet të jenë mbi 300 milionë euro. Mustafa kërkoi të merren edhe masa reciprociteti, meqë është e nevojshme.
Ministrja Bajrami potencoi se sfidë për këtë MTI-në është buxheti i vogël.

Të ngjashme