Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në seancën e Kuvendit ka thënë se situata pandemike ka ndikuar negativisht në ekonominë vendëse, raporton Ekonomia Online.
Madje, ajo tha se kjo situatë e rëndë mund të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm.
“Situata pandemike ka ndikuar negativisht dhe pritet që edhe në muajt në vijim kjo gjendje e rëndë të vazhdojë. Rritja që ishte menduar të jetë plus 4 për qind, tani kjo mund të jetë minus 4 deri në 5 për qind”, tha ministrja Bajrami.
“Ne zotohemi se do t’i monitorojmë të hyrat dhe shpenzimet në vazhdimësi dhe do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë nivelit të borxhit publik. Brenda një periudhe gjashtë mujore, MF-ja do të hartojë një plan afatmesëm më qëllim të përshtatjes së kufirit të tejkalimeve të përkohshëm që presim t’i aprovojmë në një seancë”, tha ajo, raporton EO.
“Prej votimit të juaj deputetë të nderuar varet përfundimisht implementimi i plotë i Pakos Emergjente Fiskale dhe gjithashtu i programit për rimëkëmbje ekonomike”.
“Ne kemi bërë plane që të kemi financime të brendshme dhe të jashtme, në mënyrë që të akomodojmë të gjitha mungesat që i kemi në buxhet mirëpo nëse e kemi rregullën financiare atëherë kjo do të jetë e kotë, sepse nuk do të jemi në gjendje që të shpenzojmë”, tha Bajrami
Andaj ajo ka kërkuar që të miratohet kjo marrëveshje, siç e quajti ajo në të mirë të qytetarëve.