Janë shtuar zërat në PDK kundër diskutimit për kufijtë. Pas Samitit në Berlin, u quajt “e vdekur” tema për kufijtë, madje, shumë eksponentë edhe të PDK-së, u deklaruan kundër diskutimit për këtë temë në dialogun me Serbinë.
Ish-ministri në Qeverinë e Kosovës, njëherësh nënkryetar i PDK-së, Arsim Bajrami, ka thënë se Kosova nuk duhet të dialogojë me Serbinë për çështje të territoreve si dhe nuk duhet të pranojë Asociacion, siç ka thënë, jashtë legjislacionit aktual.
“Është krejt jokorrekte që Kosovës t’i krijohen kushte shtesë. Kështu që Kosova duhet të shmangë debatet për shkëmbim territorial, si dhe Kosova duhet të shmangë Asociacion jashtë legjislacionit aktual. Kjo është një kthim mbrapa dhe një kontestim i shtetësisë”, ka thënë ai për televizionin publik.
Sipas tij, Samiti i Berlinit do ta kthejë dialogun në sfond real.
Bajrami ka theksuar se serbët në Kosovë kanë shumë të drejta dhe janë të mbrojtur nga shteti i Kosovës.