Kosova është një vend me mjaft potencial, por as gjysma e këtij potenciali nuk po shfrytëzohet nga investitorët e huaj, thotë në një intervistë të Radion Evropa e Lirë, Shpend Balija, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, duke shtuar se investimet e huaja direkte viteve të fundit kanë shënuar rënie.
Ai ndër të tjera flet edhe për mangësitë ligjore të cilat po u shkaktojnë probleme disa kompanive në vend.
Radio Evropa e Lirë: Z. Balija, sa është e përshtatshme klima ekonomike për investimet e huaja në Kosovë?
Shpend Balija: Kosova është një vend që ka mjaft potencial për investime të huaja, për biznes, por ai potencial nuk po zhvillohet dhe përdoret në tërësi. Dhe si i tillë mendoj se ne nuk kemi arritur as 50 përqindëshin e potencialit që ka Kosova.
Prandaj nuk mund të themi se nuk është mirë dhe as keq, për shkak se është problem të kuantifikohet ky term, mirë ose keq. Por, mund të them se potencialin tonë nuk e kemi arrit dhe ka hapësirë të jashtëzakonshme që të bëjmë shumë më shumë se sa që jemi duke bërë tash.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë konkretisht duhet bërë, ose cilat janë ato probleme që i kanë theksuar investitorët potencial që janë interesuar që kapitalin e tyre shtrijnë në Kosovë
Shpend Balija: Nëse i shikojmë investimet e huaja direkte në Kosovë e shohim një trend në rënie dhe rreth 300 milionë euro ka qenë pika kulminante e investimeve të huaja direkt.e
Kjo nënkupton se nuk është një shumë e caktuar që jemi të kënaqur dhe gjithashtu sektorët nëpër të cilat janë këto investime, nuk janë sektorë që përfaqësojnë stabilitet ose qëndrueshmëri ekonomike për të ardhmen dhe si të tillë gjithsesi kjo bazë prej 300 milionë euro të rritet shumë më shumë ose të dyfishohet brenda viteve të ardhme. Ne kemi një rritje ekonomike prej katër për qind që është një performancë më e madhe se shteteve të rajonit, por për shkak të nivelit të lartë të papunësisë në Kosovë, kjo shkallë e rritjes nuk mjafton. Duhet bërë shumë më tepër se sa jemi duke bërë tash.
Radio Evropa e Lirë: Po përmendni se Kosova ka potencial të mjaftueshëm. Por, për cilët sektorë janë më të interesuar investitorët e huaj?
Shpend Balija: Sektori i shërbimeve, për shembull është një sektor shumë i suksesshëm. Kosova, duke e pasur parasysh se kemi një popullatë të re, të cilët njohin gjuhët e huaja, gjuhët evropiane, njohin teknologjinë informative, kanë filluar që të zhvillohenshumë kompani të mira në tregun e shërbimeve dhe si të tillë, ne kemi një bilanc pozitiv në këtë sektor, sa i përket eksportit dhe importit.
Por, ka edhe tregje të tjera që do të mund të ishin shumë më atraktive për investitorët, duke filluar prej sektorit të bujqësisë, sektorit të IT-së që e përmendëm, pastaj sektorin e minierave dhe mineraleve, sektori i kompanive të sigurimit – kompanitë e sigurimit janë vetëm 3 për qind e gjithë sektorit financiar, që është shumë e ulët nëse i shikojmë vendet e tjera, kjo përqindje është shumë më e lartë.
Po të kishim trajtuar drejtë këto kompani prej fillimit dhe po t’i kishim mbikëqyrur në mënyrë të mirëfilltë, atëherë ky treg do të zhvillohej shumë më mirë që është sot. Kompanitë që operojnë në Kosovë nuk kanë mundësi që të ofrojnë shërbime ose produkte të reja sepse i mungon baza ligjore.
Ende sot, kompanitë e sigurimit vazhdojnë të jenë të diskriminuara në aspektin e tatimit. Ato kanë paguar 5 për qind të të hyrave, në vend se të paguajnë 10 për qind në fitim, që është një diskriminim sepse asnjë sektori tjetër kjo nuk i ndodhë. Por, tash me Ligjin për tatim në korporata, kemi arritur që ta fusim si pikë e cila do të eliminohet nga draft-ligji i ri, nuk do të përfshihet do të thotë kjo.
Për herë të parë, kjo i rregullon këtë sektorë, në mënyrë që të kenë përfitime më të mira dhe më të mëdha sepse nëse kompanitë kanë më shumë përfitime, ne krijojmë më shumë vende të punës, i paguajmë më shumë tatim shtetit dhe zhvillohemi si shtet në tërësi.
Këto pika që po i caktojmë ne si Këshill i Investitorëve Evropianë, kemi shumë sektor dhe kemi shumë gjëra të cilat po i diskutojmë, të cilat edhe do t’i lansojmë në fund të shtatorit në një dokument, ku i përmbledhim të gjitha këto pika dhe t’i tregojmë edhe parterëve tanë, Qeverisë në këtë rast, që ne prej sektorit privat që jemi në terren për çdo ditë, i shohim këto mangësi, këto barriera dhe i rekomandojmë mënyrat se si ato duhet të eliminohen. Në fund të fundit, kjo është në të mirë të vendit, është në të mirë të qytetarëve, sa më shumë që të kenë fitim firmat private, aq më shumë do të ketë punësim, aq më shumë do të ketë gjenerim të të hyrave për buxhetin e shtetit.
Radio Evropa e Lirë: Z. Balija a trajtohen të barabarta në treg të gjitha kompanitë vendore dhe ato ndërkombëtare?
Shpend Balija: Kompanitë vendore dhe të huaja trajtohen në mënyrë të barabartë, legjislacioni i trajton në mënyrë të barabartë dhe këtu nuk kemi as një problem dhe as pengesë. Në fakt kemi partneritete shumë të mira me investitorët e huaj dhe partnerët lokal të cilët krijojnë investim shumë të qëndrueshëm dhe krijojnë vende të punësimit.
Problemi ku ekziston që është kryesor është në disa ligje. Legjislacioni si i tillë në disa raste është diskriminues ndaj kompanive pa dallim, vendore apo ndërkombëtare.Por ndaj një sektori të caktuar ka mangësi të mëdha, ta zëmë në sektorin e naftës ka pengesa, në sektorin e kompanive të sigurimeve po ashtu, në Telekom kemi pengesa të ndryshme, ku aspekti legjislativ është i mangët, nuk ka akte nënligjore të duhura shpesh herë të implementuar ligjin dhe nuk ka zbatueshmëri të ligjit. Ose në rast të caktuara ligji është i draftuar në mënyrë të padrejtë ndaj sektorit privat.
Radio Evropa e Lirë: A mund të përmendni ndonjë ligj në mënyrë konkrete që paraqet këto probleme?
Shpend Balija: Së fundmi mund ta marr si shembull Ligjin për Kryqin e Kuq, që është një institucion shumë i rëndësishëm, një organizatë humanitare. Por gjatë draftimit të këtij Ligji në vitin 2010 është marrë për bazë praktika në Kroaci dhe një prej pikave është që financimi i këtij institucioni të bëhet nga kompanitë e sigurimeve. Nënenin 14 pika 1.7 thuhet “ sigurimi i obligueshëm i automjeteve, një për qind nga bruto primi i vlerës se sigurimit të automjetit”
Por, asnjëherë këto shuma nuk janë paguar sepse nuk ka pasur akte nën ligjore, që specifikojnë se kush duhet paguar, si duhet të paguhen këto, a duhet ti bartet kjo qytetarit, a duhet Banka Qendrore e Republikës së Kosovës t’i marrë përsipër këto pagesa. Këtu është krijuar një paqartësi ligjore e cila nuk është zbatuar asnjëherë dhe për herë të parë tashmë kanë filluar paditë e para ndaj kompanive private dhe kanë filluar të fitojnë në gjykatë. Problemi kryesor është, nëse ne vendosim një precedent të tillë, atëherë më të vërtet është shumë problematike.
Nëse një kompani ose një sektori të caktuar në mënyrë arbitrare i vendoset më ligj apo me interpretimin e gjykatës që kapitalin privat të ia paguajë një institucioni siç është Kryqi i Kuq, atëherë kjo është shkelje e të drejtave themelore të pronësisë. Do të thotë edhe pse është kapital financiar ajo është pronë private dhe askush nuk ka të drejtë të marrë një pronë ose të konfiskojë aq më pak një kapital privat pa baza të mirëfillta të shpronësimit ose të kompensimit:
Radio Evropa e Lirë: Keni kërkuar ndryshimin e këtij Ligji, zoti Balija?
Shpend Balija: Ne kemi filluar të bisedojmë me palët relevante për të ndryshuar Ligjin për Kryqin e Kuq. Të gjitha palët pajtohen, të gjitha ministritë dhe institucionet relevante pajtohen më ne. Por, nuk ka ndonjë gatishmëri që të ndërmerr dikush hapin për të bërë ndryshimin. Dhe si të tillë edhe Kryqin e Kuq e kanë vendosur venë në pozitë të pavolitshme, sepse që nga viti 2010, ky institucion shumë i rëndësishëm është në gjendje të keqe financiare dhe nuk është duke u financuar mirë ashtu siç duhet dhe ka probleme të shumta.
Pra, ne duhet të synojmë të krijojmë një qëndrueshmëri ne këtë rast edhe për Kryqin e Kuq, por të krijojmë edhe një barazi edhe një harmonizim të legjislacionit vendor me praktikat e Bashkimit Evropian. Sepse kjo praktikë nuk ekziston askund në rajon, askund në Evropë, por aq më pak nuk ekziston as në Kosovë ne raste të tjera, nuk ka kësi lloji shembujsh ku detyrohet kompania private ta paguaj kapitalin privat për një rast të caktuar, në mënyrë arbitrare.