Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi nuk është ndarë shumë i kënaqur me mbështetjen që ka pasur nga niveli qendror. Ndonëse me një buxhet modest, kjo komunë ka shumë projekte që nuk po mund t’i përfundojë shkaku i mungesës së mjeteve, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ballazhi u shpreh se buxheti i tyre për investime kapitale është afro 500 mijë euro, teksa thotë se kjo shumë nuk e mbulon koston e vetëm një projekti.
Kreu i kësaj komune, thotë se ka adresuar shumë kërkesa në dikastere të ndryshme, duke thënë se në disa ka marrë përkrahje, e tek të tjerët është në pritje.
“Kemi një projekt i cili është në fazën finale të përfundimit të kësaj fabrike të ujit por është neglizhenca e KEDS-it i cili nuk po mundet me arrit të kryej detyrat e veta i cili ka por ta bërë kyçje e rrjetit elektrik apo energjisë elektrike me një trafo që ka gati dy muaj që nuk po mundemi ta funksionalizojmë këtë fabrikë. Projekte tjera që ne kemi pasur është çështja e ambientit me të cilën jemi duke zhvilluar disa projekte, janë dy parqe qe tani njëra është kah mesi i punimeve”.
“Projekt tjetër është ‘Bllaca 99’ i cili ka vlerën prej 100 mijë eurosh ka filluar këto ditë dhe besoj që deri në fund të vitit do të përfundohet, dhe një rrugë që fillon këtë vit që ka implikim nga buxheti i Qeverisë, rruga Ramuk kroi i fshatit Paldenicë dhe ‘Parku i Qytetit’ që janë 100 mijë euro të ndara nga buxheti i Qeverisë së Kosovës ndërsa realizime të tjera janë nga të hyrat vetanake të komunës së Hanit të Elezit”, u shpreh Ballazhi.
Ballazhi është ankuar edhe te kabineti qeveritar, për të cilët thotë se është në pritje për t’u takuar në lidhje me projektet në këtë komunë. Thotë se nuk kanë bashkëpunim të afërt me ministrat e Qeverisë Kurti.
“Ne kemi një buxhet të vogël për investime kapitale që është diku 400 e 500 mijë euro nëse ja shtojmë edhe të hyrat vetanake bëhet diku 700 mijë euro dhe kjo nuk e mbulon vetëm një projekt dhe këtu është ideja se si të kemi një bashkëpunim të sinqertë me Qeverinë. Unë kam bërë kërkesë tek secili ministër të kemi takime me ta dhe t’i sqarojmë këto kërkesa qe ne kemi si qytetar të Hanit të Elezit dhe unë si kryetar komune”.
“Tek disa kam gjetur mirëkuptim dhe tek disa ende s’më kanë thirrur dhe me duket se edhe aty ka neglizhencë. Me ta nuk është se kemi ndonjë bashkëpunim të veçantë, ne mundohemi në aspektin zyrtarë me bashkëpunu dhe nuk mund të shtojmë qe ka ndonjë bashkëpunim shumë të afërt ose të shpeshtë”, u shpreh Ballazhi.
Ballazhi nuk besoj se dallimet politike po e lënë këtë komunë pa mbështetjen e Qeverisë. Ai thotë se ndërtimi i Qendrës së Kulturës dhe Fabrika e ujit, janë projekte që duhet të përfundojnë vitin e ardhshëm, e që janë projekte të mëhershme.
“Nuk dua të besoj që mund të ketë dallime politike sepse fundi i fundit të gjithë jemi për interesa të qytetarëve, sepse këtu në Han të Elezit kemi elektorat edhe ne si PDK, edhe Vetëvendosje, edhe Aleanca edhe LDK-ja por përgjithësisht janë qytetarë të Hanit të Elezit. Këtë vit kemi shkuar me projekte të cilat kanë qenë në gjysmë”.
“Qendra e Kulturës dhe pjesa e fabrikës së ujit, funksionalizimi i fabrikës së ujit të cilat kanë qenë pjesë e projektit të mëhershëm, ndërsa të tjera janë të gjitha projekte të reja të cilat ne i kemi futur tash dhe kemi filluar t’i impelementojmë”, tha Ballazhi.
I pari i kësaj komune, ka thënë se nga viti i ardhshëm kanë planifikuar ndërtimin e një shkolle të re në lagjen e re. Për këtë, ai ka kërkuar mbështetje nga institucionet qendrore.
“Komuniteti ka bërë kërkesë me ndërtuar një shkollë por mungesa e parcelës që komuna nuk ka parcela të vetë e kemi krijuar një fond që duhet me ble atë parcelë nga një qytetar qe e ka privat pastaj me bë ndërtimin e asaj shkolle”.
“Për këtë unë kam pas një takim edhe me Ministren Nagavci dhe i kam treguar këtë shqetësim të qytetarëve të asaj pjese dhe i kam treguar që ne e kemi në projekt nga viti i ardhshëm dhe më ka premtuar që nëse parcelën e sigurojmë ne atëherë projekti do të realizohet përmes buxhetit të Qeverisë si projekt i shkollës”, ka thënë Ballazhi.