Edicionin 2023/24, skuadra e Ballkanit do ta fillojë me paraqitjen në garat evropiane.
Për edicionin e dytë rresht, Ballkani do të jetë pjesë e Ligës së Kampionëve si kampion i Kosovës.
Edhe këtë edicion, sikurse në të shkuarin, Ballkani rrugëtimin në Champions do ta nisë nga rundi i parë kualifikues.
E kundërshtarin për këtë rund, Ballkani do ta mësojë të martën në mesditë, kur edhe do të tërhiqet shorti i kësaj gare në selinë e UEFA-s në Nyon.
E këtë herë, te Ballkani po shpresojnë që të kenë fat në short, në mënyrë që në rundin e parë të kenë përballë një kundërshtar të kalueshëm për të avancuar në rundin tjetër.
Ballkani në short nuk është bartës, që do të thotë se për kundërshtar do të ketë një ekip që është bartës në short. Bartës janë caktuar 15 ekipe dhe të gjitha kanë fituar titullin e kampionit në edicionin e fundit në ligat e shteteve të tyre.
Skuadrat me të cilat Ballkani mund të përballet në rundin e parë eliminator të Championsit, janë Ferencvarosi (Hungari), Qarabagu (Azerbajxhan), Sllovan Bratislava (Sllovaki), Ludogorets Razgrad (Bullgari), Sheriff Tiraspoli (Moldavi), BATE Borisov (Bjellorusi), Astana (Kazakistan), Maccabi Haifa (Izrael), Zhalgirisi (Lituani), HJK Helsinki (Finlandë), Flora (Estoni), Shamrock Rovers (Irlandë), The New Saints (Uells) dhe Olimpija (Slloveni). Bartës është edhe Zrinjski Mostari i Bosnjë-Hercegovinës, por UEFA nuk do të lejojë një përballje mes Ballkanit dhe ekipit boshnjak.
Ndeshjet e para të këtij rundi do të zhvillohen më 11/12 korrik, kurse ato të kthimit pas një jave (18-19 korrik).
Skuadrat që avancojnë në rundin e dytë do ta kenë shortin më 21 qershor, ndërsa ekipet humbëse do të transferohen në rundet kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Po ashtu, kundërshtarët e rundit të parë të Ligës së Kampionëve, të martën, do t’i mësojnë edhe kampioni i Shqipërisë, Partizani i Tiranës dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Struga.
Ballkani ka gati një javë që po përgatitet në Ohër të Maqedonisë së Veriut për një paraqitjeje dinjitoze këtë edicion në garat evropiane.
Edicionin e shkuar, Ballkani u eliminua në rundin e parë të Championsit nga Zhalgrisi me rezultatin e përgjithshëm 5:1, por e vazhdoi me sukses rrugëtimin në Ligën e Konferencës.
Në këtë garë, që është e treta për kah rëndësia në UEFA, Ballkani kaloi rundin e dytë, të tretë dhe plejofin për t’u kualifikuar në fazën e grupeve për t’u bërë ekipi i parë nga Kosova që arriti një gjë të tillë.
Në fazën e grupeve, Ballkani përfundoi i fundit grupin e tij, me një fitore, një barazim dhe katër humbje në gjashtë ndeshje të zhvilluara.
Të martën, gjithashtu shorti do të tërhiqet edhe për rundet kualifikuese të Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.
Megjithatë, vëmendja do të jetë në Ligën e Konferencës, ku dy skuadrat e Superligës së Kosovës, Gjilani dhe Dukagjini do t’i mësojnë kundërshtarët e rundit të parë.
Të dyja ekipet nuk janë bartës në short, ndërsa do të takohen me njërën prej 31 skuadrave bartëse, ku në mesin e tyre janë edhe Shkëndija e Tetovës e Shkupi i Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, Drita e Gjilanit, garat ndërkombëtare do t’i nisë në rundin e dytë të Ligës së Konferencës. Ndeshjet e rundit të parë të Ligës së Konferencës do të zhvillohen më 13 korrik, kurse ato të kthimit pas një jave.