Ballkani ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Drenica me rezultat 2-1 në kuadër të javës së 14-të të Superligës së Kosovës.
Klubi nga Suhareka ka vazhduar serinë pozitive në kampionat duke triumfuar në një terren të vështirë sikurse ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Ballkanit, i cili përveç rasteve të shumta arriti t’i shënojë edhe dy gola.
Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm tre minutave lojë dhe ishte Ermal Krasniqi, i cili shënoi për 0-1.
Mysafirët arritën të tregohen klinik edhe në minutën e 29-të me anë të Mirlind Daku, i cili shënoi një supergol nga distanca për 0-2.
Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë dhe me raste nga të dyja skuadrat, por vetëm vendasit arritën të shënojnë në fund.
Ishte mbrojtësi Azem Bejta (89’), i cili shënoi një gol të bukur për 1-2 pas daljes së gabuar të portierit Armend Rugji dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes.
Me këtë fitore, Ballkani betonon pozitën e parë me 32 pikë apo pesë më shumë se Drita në vend të dytë, ndërsa Drenica renditet e pesta me 18 pikë.