Bangladeshi kërkon invenstitorë nga Kosova

Prishtinë | 19 Dhj 2023 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Bangladeshit, Mohammed Shahabuddin ka kërkuar nga investitorët e Kosovës që të investojnë në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në Zonën Speciale Ekonomike (SEZ) të këtij vendi.

Këto komente, Shahabuddin i bëri gjatë takimit lamtumirës me ambasadorin në largim të Kosovës në Bangladesh, Guner Ureya.

Gjatë kësaj bisede, ai tha se Bangladeshi është i interesuar të rrisë marrëdhëniet dypalëshe me të gjitha vendet e botës.

Kreu i shtetit të Bangladeshit përmendi rritjen e bashkëpunimit në nivelin publik dhe privat mes dy vendeve për të eksploruar potencialet ekzistuese për bashkëpunim në tregti-investime ndërmjet Bangladeshit dhe Kosovës.

“Marrëdhëniet ekzistuese mes dy vendeve do të forcohen në ditët në vijim”, shpresoi Shahabuddin.

Ambasadori në largim i Kosovës vlerësoi zhvillimin socio-ekonomik të Bangladeshit në fusha të ndryshme, duke përfshirë komunikimin, zhvillimin e infrastrukturës, fuqizimin e grave dhe teknologjinë informative (TI).

Ai shprehu mirënjohjen ndaj Presidentit bangladeshas për të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm në përmbushjen e detyrës së tij.

“Me takimin lamtumirës me Presidentin e nderuar të Republikës Popullore të Bangladeshit, Mohammed Shahabuddin, detyra ime në Daka mori fund. Dëshiroj të falënderoj Bangladeshin, institucionet dhe njerëzit e tij për miqësinë dhe mikpritjen e treguar ndaj meje dhe familjes sime. Miqësia Kosovë-Bangladesh do të zgjasë përgjithmonë”, shkroi ambasadori Ureya në Facebook.

Ndërkaq dje, ambasadori në largim i Kosovës në Daka, takoi edhe kryeministren e këtij vendi, Sheikh Hasina, e cila po ashtu u bëri thirrje investitorëve nga Kosova që të konsiderojnë potencialin e vendit të saj.

Të ngjashme