Banka shqiptare që po synon tregun në Kosovë

Prishtinë | 02 Nën 2019 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Pas një kohe shumë të gjatë, Kosova ka filluar të shihet vend me leverdi për investime në sistemin bankar.

Konkurrenca mes bankave në Kosovë pritet të rritet së shpejti.

Një bankë e re pritet të hapen në Kosovë. Kërkesa e saj tashmë është duke u shqyrtuar nga Banka Qendrore e Kosovës.

Lajmi.net ka mësuar se banka nga Shqipëria “Credins Bank” ka dorëzuar aplikacionin zyrtar dhe ai aplikacion është duke u shqyrtuar seriozisht nga BQK-ja

Zyra për informim e BQK-së ka refuzuar të japë çfarëdo informate lidhur më këtë.

Nuk kanë dashur të flasin as zyrtarë të bankës shqiptare në interesimin e lajmi.net lidhur me atë se cilat janë synimet e kësaj banke në tregun kosovar ndryshe nga bankat tjera dhe se çfarë kamatash do të ofrohen për kredi.

“Credins Bank” u krijua në vitin 2003 dhe ishte banka e parë private me kapital shqiptar. Drejtor i përgjithshëm është, Maltin Korkuti dhe përbëhet nga shumë aksionarë dhe dy prej aksionarëve të saj Renis Tërshana dhe Aleksandër Pilo radhitën në top dhjetëshen e njerëzve më të pasuar në Shqipëri.

“Credins Bank” është e banka e tretë më e madhe në Shqipëri sipas aktiveve.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Shqipërisë “Credins” ka vijuar të ruaj pozicionin si banka e tretë më e madhe në Shqipëri, që e fitoi në vitin 2016, me 13.5% të totalit (rritje me 1 pikë përqindje) dhe po i afrohet vendit të dytë. “Credins” është e dyta për peshën në kredidhënie, me 17.5% të totalit dhe e treta për depozitat. Ajo ka 870 punonjës, 59 degë, dhe mbi 290,000 klientë.

Madje, ambiciet që banka të shtrihet dhe në Kosovë i kishte shfaqur vetë Drejtor i përgjithshëm, Maltin Korkuti.

“Strategjia e Credins Bank (2018 – 2020) ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të pozicionit të saj si një nga institucionet kryesore dhe të qëndrueshme financiare në vend. Kjo strategji është ndërtuar mbi pesë fusha prioritare bazuar në avantazhet tona konkurruese si: pozicioni i fortë i tregut, madhësia e biznesit, gama e gjerë e produkteve dhe shërbimeve etj. Pjesë e kësaj strategjie do jetë dhe mbajtja nën kontroll e riskut dhe kostove. Të gjitha këto veprime do na lejojnë të gjenerojmë një kthim mbi kapitalin mbi 9 për qind në vitin 2020. Përveç konsolidimit në Shqipëri, ne synojmë të zgjerojmë aktivitetin në vendet fqinje dhe Banka Credins e Kosovës është projekti ynë i radhës”, kishte thënë ai në një intervistë për prestigjiozen gjermane Die Ëelt.

Sipas të dhënave të BQK-së, në Kosovë operojnë 10 banka komerciale produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogaritë bankare, kreditë, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garancione bankare, letër kredi, e-banking.

Aktiviteti  i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.

Nga totali i kredive është 2,489 milionë euro, kreditë për ndërmarrjet janë 36.27% ndërsa, kreditë për individë  63.51%. Pjesa më e madhe e këtyre kredive absorbohet nga ndërmarrjet e sektorit të tregtisë (50,3% për qind e kredive të ndërmarrjeve), përderisa sektori i industrisë (përfshirë minierat, prodhimtarinë, energjinë dhe ndërtimtarinë) ka 24.27% të gjithsej kredive të ndërmarrjeve. Sektori i bujqësisë aktualisht përbën 3.87%  të gjithsej kredive për ndërmarrje.

Struktura e detyrimeve të sektorit bankar dominohet nga depozitat, të cilat përfaqësojnë 75.4% për qind të gjithsej detyrimeve.

Depozitat e sektorit bankar kanë shënuar rritje vjetore prej 7.3%, duke arritur vlerën prej 3 miliardë euro. Depozitat e sektorit bankar në Kosovë përbëhen nga depozitat e ekonomive familjare me një pjesëmarrje prej rreth 75.40 për qind të depozitave të gjithëmbarshme, përderisa depozitat e ndërmarrjeve private përbëjnë 23 për qind.

Bankat me pronësi të huaj vazhdojnë të dominojnë strukturën e sektorit bankar në vend.

Në qershor të vitit 2017, bankat e huaja menaxhuan 88.3 për qind të aseteve dhe 91.0 për qind të kapitalit të sektorit bankar.

Tri nga tetë bankat me pronësi të huaj kanë vend të origjinës Turqinë, kurse pesë bankat tjera kanë vend të origjinës Austrinë, Gjermaninë, Slloveninë, Shqipërinë dhe Serbinë.

Tregu vendor vazhdon të përfaqësohet nga dy banka.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme