Për sundim më të mirë të ligjit në veri të Kosovës është i nevojshëm zbatimi i ligjit, puna në zbatimin e udhëzimeve administrative, por edhe presioni i bashkësisë ndërkombëtare mbi institucionet e Kosovës dhe lirimi nga dimensioni etnik dhe politik, është konstatuar në një konferencë që është organizuar në veri të Mitrovicës me temën “Sundimi i ligjit në veri të Kosovës, ndikimi juridik te qytetarët”, shkruan sot, gazeta Zeri.
Siç përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, në panelin për temën e “Sundimit të ligjit dhe ndikimi juridik te qytetarët” kanë marrë pjesë Huan Karllos Galoça Morales (OKB), Katarina Gërbeshi (Zyra e BE-së në Kosovë), Milica Adriq (OJQ Aktiv) dhe Ijan Bankroft, koordinator i EULEX-it në veri të Kosovës.
Ky i fundit ka thënë se veriu i Kosovës është kontest i veçantë në hapësirat e Kosovës dhe për këtë arsye edhe roli i EULEX-it në veri është i veçantë. “Për shkak të kësaj edhe misioni i EULEX-it i ka kushtuar vëmendje të veçantë veriut të Kosovës, në njëfarë forme është një mandat i veçantë i EULEX-it në veri të Kosovës.
Ajo që ka qenë problem, por që është duke u përmirësuar, është vakuumi që ka ekzistuar në veri lidhur me sistemin e drejtësisë, në veçanti për rastet penale. Fatkeqësisht Marrëveshja në mes Beogradit dhe Prishtinës për Gjyqësorin e Integruar është vonuar për t’u zbatuar në terren. Gjykatat ekzistuese në veri nuk i kanë marrë për t’i trajtuar rastet penale që nga viti 2013. Për dy vjet sa jam këtu shumë raste kanë mbetur të pazgjidhura”, ka thënë koordinatori i EULEX-it në veri të Kosovës, Ijan Brankfroft.
Ai ka shtuar se qytetarët duhet të kuptojnë se në çfarë mënyre zbatohet ligji, duke pasur parasysh gjendjen e tashme kur mungon sundimi i ligjit. Ai konstatoi se është shumë e rëndësishme që të funksionojë në praktikë gjyqësori i integruar.
Milica Andriq, nga OJQ “Aktiv”, ka vlerësuar se në veri ka pasur sundim të dobët të ligjit dhe njerëzit janë ndier të lënë nga shteti.
“Vendimet joformale të Qeverisë së Kosovës kanë ndikuar direkt në jetën jo vetëm të serbëve të Kosovës, por edhe të pakicave tjera. Problemi më i madh nga vendimet joformale të Qeverisë në Prishtinë që kalojnë pa asnjë reagim dhe që kalojnë pa u gjykuar nga bashkësia ndërkombëtare, madje edhe nga Serbia kanë të bëjnë me ndalimin e importit të librave në gjuhën serbe, për lëshimin e dokumenteve të pjesëtarëve të pakicave, si dhe vendimi nga maji i këtij viti për ndalimin e përdorimit të pasaportave që i ka lëshuar Republika e Serbisë”, ka shpjeguar Andriq.
E ndërkaq Huan Karllos Galloça Morales, nga OKB-ja, tha se UNMIK-u në Kosovë vetëm raporton dhe merret me koordinimin e sektorit të sundimit të ligjit, ku shoqëria civile angazhohet së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe me akterë të tjerë, shkëmbejnë informacione dhe i zbatojnë projektet në terren.
“Sundimi i ligjit në esencë është shumë i rëndësishëm në mënyrë që njerëzit të jenë në gjendje të bëjnë jetë normale, të kenë punë, të martohen, të krijojnë pasuri. Kjo lidhje në mes të sundimit të ligjit, të drejtave juridike të qytetarëve, të sigurisë dhe të paqes është një nga elementet shumë të rëndësishme”, ka thënë mes të tjerash Morales