Banorët e Busavatës dhe Krilevës protestuan para Komunës së Kamenicës kundër reformës në arsim

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 19:50 | Nga Ekonomia Online

Të rinj e të moshuar nga Busavata dhe Krileva e Kamenicës, u bënë bashkë për t’i thënë jo reformës arsimore në këtë komunë.

Reforma që parasheh mbylljen e shkollave në zonat rurale të Kamenicës dhe dërgimin e fëmijëve në shkolla përreth, vazhdon të jetë e papranueshme për banorët e fshatrave përreth, raporton KTV.

Derisa, këtë vendim ata po e krahasojnë me kohën e regjimit serb.

Nga drejtoria e arsimit në komunën e Kamenicës, protestat i quajnë të pritshme dhe ndonëse është shqetësuese humbja e orëve të mësimit për nxënësit e këtyre shkollave, nga kjo drejtori thonë se qëndrimi i tyre për reformat nuk ndryshon.

“Protestat e organizuara nga banorët e Busavatës janë diçka e pritshme, duke marrë për bazë faktin që fëmijët nuk kanë vijuar asnjë ditë mësimi dhe një gjë e tillë, për kah rëndësia, i tejkalon shumëfish protestat. Qëndrimi i Komunës, pavarësisht pengesave që tentohet të vendosen e mjeteve që përdoren, është po i njëjti. Rezistenca, çfarëdo qoftë ajo, mund të na brengosë për shkak të pasojave që ka në palët e treta, por ajo që ne e kemi të qartë është se qëndrimi jonë është i pandryshueshëm dhe një mundësi tjetër nuk shqyrtohet”, ka thënë Mirhane Morina – Drejtoreshë në Drejtorinë e Arsimit.

Ndonëse protestuesit e Busavatës e Krilevës u shpërndanë të qetë, premtuan vazhdim të protestave nëse gjendja mbetet e njëjtë.

Të ngjashme