Para objektit të ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit, Hapësinorë dhe Infrastrukturës kanë protestuar banorët e Drenasit për të shprehur pakënaqësitë për gjendjen mjedisore në këtë komunë dhe fshatrave përreth fabrikës së “Feronikelit”, raporton Ekonomia Online.
Xhavit Drenori, organizator i protestës, tha se ka gati një muaj që kanë bërë kërkesë në ministri, por që nuk kanë marrë përgjigje.
Sipas tij, “Feronikeli” u ka shkaktuar probleme të mëdha me ndotjen e mjedisit dhe ujit të pijes.
“Prej vitit 2018 deri tash kjo leje nuk po aplikohet, sot jemi në një gjendje që sidomos tri fshatrave tona, Feronikeli po na shkakton dëme të mëdha, dhe pikërisht mbetjet e metalit janë shumë të rrezikshme dhe ky produkt po hedhet në ujë dhe në puset e banorëve të këtyre fshatrave”.
“Problemi më i madh qëndron poashtu se kjo deponi është mbi nivelin e tri fshatrave përreth dhe ne jemi të dëmtuar në këtë aspekt dhe lëshohen leje për deponimin e këtyre llojeve të metalit, sepse këtu ka gisht politika, andaj urgjentisht bëjmë thirrje që të bëhet një zgjidhje, sepse ne nuk jemi kundër fabrikës së Feronikelit, por nëse me të ministria nuk e kryen punën e vet atëherë ne banorët detyrohemi që ose ne do dalim t’i ndalim vetë ose ta lëshojmë vendin, nëse ashtu atëherë ministria duhet të na bëjë vendin”.
Protesta e tyre vazhdoi deri te hyrja e kësaj ministrie për t’i vendosur edhe pllakatet, duke pritur që kërkesat a tyre të realizohen.