Njëzet metra e ndajnë Qendrën e Paraburgimit me banesat sociale në lagjen “Hajvalia” në Prishtinë. Një tel me gjemba dhe një mur i lartë prej betoni. Prej katit të tretë e tutje banorët mund të shohin nga dhomat apo ballkonet secilën lëvizje të të burgosurve, të stafit brenda oborrit ose edhe përreth objektit, shkruan sot Koha Ditore.
Deri këtë të premte banorët janë ndier më komod, pasi që Qendra nuk ka qenë funksionale. Mirëpo, pas përurimit, ajo është shndërruar në shqetësim real për ta.
Aishe Shatrolli, nënë e katër fëmijëve, ka thënë për “Kohën Ditore” se nuk ndihet rehat kur e mendon se do të jetojë afër një ndërtese të tillë bashkë me familje. Në këtë banesë sociale ka thënë se janë vendosur qe dy muaj.
“Katër fëmijë i kam, disa të rritur, të cilët shkojnë në shkollë. Nuk është hiç mirë për fëmijët të rriten në një ambient të tillë. Është me të vërtetë shumë afër ndërtesës sonë. Është shqetësuese vetëm kur e mendoj”, ka thënë Shatrolli.
Megjithatë, ajo ka thënë se nuk kanë fuqi që të ankohen, pasi që edhe ashtu “mezi e kanë fituar të drejtën për t`u vendosur aty dhe për të siguruar strehimin”.