Profesori universitar dhe njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, thotë se ajo që po ndodhë më zvarritjen e formimit të koalicionit dhe konstituimit të institucioneve të Kosovës, është zhgënjyese dhe për keqardhje që nuk do justifikim.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se po luftohet për pushtet e poenë politik, para interesit të qytetarëve.
“Kjo që po ndodhë në zvarritjen e bisedave për të bërë një koalicion ndërmjet këtyre dy partive fituese është për keqardhje, është zhgënjyese dhe nuk arsyetohet me asgjë. Nuk justifikohet, me të vërtet ka diçka që thjeshtë në këtë shtet dikush domosdoshmërish më shumë lufton për prestigj, pushtet politik dhe përfitime nga pushteti se sa për shtetin dhe qytetarët dhe kjo është me të vërtetë zhgënjyese për arsye se populli ia dha besimin kësaj radhe ndryshimit”.
Baraliu që ishte pjesë e KQZ-së, tregon se do të ishte e papërballueshme shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, nëse paritet nuk arrijnë ta bëjnë Qeverinë.
Ai thotë se nuk jemi të reformuar, por as të përgatitur për zgjedhjet derisa përmend lodhjen e qytetarëve me zgjedhje.
“E para nuk jemi as të përgatitur dhe as të reformuar, e dyta jemi të lodhur dhe të rraskapitur dhe qytetarët e shoqëria e institucionet, e treta kushton sepse kap koston rreth 6-7 milionë euro, por këta nuk vrasin mendjen, si duket edhe këto dy subjekte unë nuk duhet t’i ndajë përgjegjësitë ani që përgjegjësia e njërit subjekt dhe subjektit tjetër dallon dukshëm sepse apetitet, orekset dhe pretendimet janë të ndryshme, por megjithatë unë konsideroj se të dyja subjektet politike janë përgjegjëse për këtë situatë dhe do të duhej që ta vejnë inversin jopartiak, por interesin politik dhe shtetëror para interesit politik-partiak sepse ai është i ngushtë dhe i përkohshëm ndërsa shteti, qytetari, shoqëria, Republika është e përhershme”, tha ai për EO.
Baraliu ka shpjeguar afatet kushtetuese pas konstituimit të Kuvendit për ta formuar Qeverinë e re.
“Është e qartë në Kushtetutë dhe në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme që pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ-ja, saktësisht nga ora 14:00 e certifikimit rrjedh afati prej 30 ditësh për ta konstituuar Kuvendin dhe institucionet e tjera, ndërkohë që Kuvendi është caktuar me 26 dhjetor, por Qeveria nuk mund të formohet para se të arrihet një marrëveshje ndërmjet këtyre dy subjekteve politike. Nëse kjo marrëveshje arrihet dhe ne shpresojmë që të arrihet atëherë do të ketë mundësinë në bazë të nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës që mandatari i parë i cili do të mandatohet si fitues i zgjedhjeve, në këtë rast nga Presidenti. Ka afatin 15 ditorë për të formuar një kabinet qeverisës, një listë e deputetëve mbi 61 që mund ta votojnë atë kabinet qeverisës dhe t’ia dërgojë Presidentit atëherë ajo votohet në Parlament dhe krahas konstituimit në mbledhjen e parë të gjitha organeve të Kuvendit atëherë konstituohet ekzekutivi, në këtë rast Qeveria dhe bëhet kompletimi i institucioneve”.
Baraliu ka thënë se nëse dështon përpjekja e parë atëherë ekziston edhe një afat tjetër prej 15 ditësh që i jep të drejtë partisë fituese të propozojë kandidatin e njëjtë apo edhe një kandidatë tjetër.
“Nëse kjo nuk arrihet në përpjekjen e parë prej 15 ditësh, Kushtetuta e thotë që ka mundësi edhe 10 ditë tjera afat që po i njëjti kandidatë ose një kandidat tjetër i të njëjtës parti ose koalicion, në fakt të bëjë përpjekje brenda 10 ditësh për të bërë kabinet qeverisës dhe të njëjtën procedurë shkohet drejt Kuvendit. Nëse edhe kjo nuk arrihet, Kushtetuta thotë që në afat prej 40 ditësh shpallen zgjedhjet e reja dhe shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme”.
Baraliu thotë se Lëvizja Vetëvendosje mund të bëjë marrëveshje edhe me PDK-në ose me ndonjë parti tjetër nëse këtë nuk mund ta bëjë më LDK-në.
Por, e keqja sipas tij qëndron në ato deklarime se paritet politike kanë vendosur vija të kuqe për njëra-tjetrën dhe mbeten pak mundësi për marrëveshje.
“Po mund të ketë për arsye se edhe Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen përkatëse lejon mundësinë që thjeshtë partia fituese, në këtë rast VV-ja nëse nuk arrin dakord me një subjekt, në këtë rast me LDK-në atëherë mund t’i drejtohet edhe subjekteve tjera, por një e keqe është që këtu te ne për shkaqe të panjohura dhe inateve në një subjekt politik vendosin vija të kuqe për një subjekt tjetër politik, në një tjetër për një tjetër dhe kështu paraprakisht duket se këta i kanë harxhuar të gjitha municionet e tyre politike për të bërë të tilla kombinime përndryshe është e mundur plotësisht”, tha ai për Ekonomia Online.