Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka thënë se mos-hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkim Europian, tregon se BE-ja është në krizë serioze.
Këto komente ai i bëri në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, duke shtuar se BE-ja po përdorë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për çështjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Kjo shpërfaqë mosunitetin brenda Bashkimit Europian. Tani janë dy rryma kryesorë që kanë dalë në sipërfaqe – madje Merkel e tha publikisht se është për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Ndërsa Franca ishte kundër”.
“Ky vendim është më i dëmshëm për proceset brenda BE-së sesa për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
“Këto dy shtete janë më pro-eropianet në Ballkan dhe fakti se nuk pati një vendim për çelje të negociatave për anëtarësim – është për keqardhje. Unë mendoj se nuk ka politika eurocentriste brenda BE-së që do t’i studion pasojat e këtyre veprimeve”.
“Kjo është e padenjë dhe nënçmuese për këto dy shtete sepse ky avaz i shtyrë kështu – sa herë vijnë udhëheqësit e rinj thonë se ju e keni perspektivën evropiane dhe kjo është tallje. Mungojnë aktivitetet e koordinuara brenda BE-së; ata duhet ta shërojnë vetveten e tyre dhe të përmirësohen”.
“BE-ja me një fjali është në krizë dhe kriza është serioze. Tani shumë shtete si Britania e Madhe, Hungaria, Polonia, Greqia, Italia dhe Spanja kanë dilema nëse do të jenë apo nuk do të jenë në këtë sistem”.
“Ka krizë serioze të brendshme në BE-së. Është e vërtetë se Presidenti Makron e kërkon një reformim paraprak për integrim. Ky është një qëndrim i gabuar sepse në radhë të parë ata duhet të shërohen përbrenda”.
“Nga ajo që dimë është se thjeshtë BE-ja nuk flet me një fjalë dhe vërehet se ka probleme serioze dhe konceptuale. Sidomos dy shtetet kryesore pra janë thjeshtë në një kolizion veprues dhe nuk mund t’i harmonizojnë veprimet e tyre,”.
“Ai reformim që po kërkon Franca janë qëndrime konservative. Ata nuk mund të kërkojnë standarde ekstravagante që nuk gjenden as përbrenda BE-së. Në BE kanë pranuar vende më pak të përgatitura sesa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”.
“Kanë pranuar kandidaturën për Serbinë e cila ka probleme serioze. Ndërkohë që me standarde të dyfishta veprohet ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë. Padrejtësisht veprohet edhe ndaj Kosovës për mos dhënien e liberalizimit të vizave”.