Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit pritet që si rezultat të prodhojnë konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Pas konstituimit të Kuvendit, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës.
Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu, e ka shpjeguar për Ekonomia Online akseptin proceduar dhe kushtetues pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ai thotë se partia fituese në afat prej 15 ditësh duhet ta propozojë mandatarin e Qeverisë.
“Në aspektin procedural dhe kushtetues pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të këtij cikli zgjedhor, në bazë të Kushtetutës Presidenti i i Republikës është i autorizuar që në konsultim me një parti fituese në këtë rast ose koalicion qeverisës të kërkojë që ta propozojnë mandatin gjegjësisht për një mandatar të Qeverisë dhe kjo duhet të bëhet brenda 15 dite, pastaj që ai mandatar ta formojë Qeverinë. Nëse kjo nuk ndodhë brenda 15 ditëve ekziston edhe një afat tjetër kushtetues prej 10 ditësh që i jep të drejtë Presidentit të Republikës që një kandidatë tjetër të dytë ta mandatojë për Qeveri, për bërje të kabinetet qeveritar dhe nëse edhe në këtë afat nuk ndodh që mandatari ta kompletojë kabinetin qeverisës dhe ta dorëzojë në Kuvend për ta votuar dhe Kuvendi duhet ta votojë me shumicë votash, atëherë në afat më së larg 60 ditësh nëse kjo çështje nuk arrin më së largu, Kushtetuta thotë që të shpërndahen Parlamenti dhe duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme të tjera pas këtyre që ishin në afat jo 45 ditësh, por 40 ditësh”, thotë ai për Ekonomia Online.
Baraliu në shpjegimin e tij tregon se nëse mandatari i parë për bërjen e Qeverisë nuk arrin që brenda 15 ditëve ta kompletojë kabinetin qeverisës për ta dërguar në Kuvend, atëherë siç tha ai Presidenti ka të drejtë që ta mandatojë një kandidat tjetër të dytë, por rrjedhimisht të një partie tjetër ose koalicioni tjetër ndërkohë i cili ka të drejtë pastaj që ta formojë qeverinë.
“Unë e thash që nëse në afatin brenda 15 ditëve mandatari i parë ose mandatari i parë nuk arrin që ta kompletojë kabinetin qeverisës për ta dërguar në Kuvend ose e dërgon por nuk votohet atëherë ka të drejtë Presidenti që ta mandatojë një kandidat tjetër të dytë, por rrjedhimisht të një partie tjetër ose koalicioni tjetër ndërkohë i cili ka të drejtë pastaj që ta formojë qeverinë”, tha ai për Ekonomia Online.
E duke folur për ankesat për rinumërim të votave nga PDK-ja, LDK-ja dhe kërkesa e Nisma-s për rivotim, ai thotë se PZAP vlerëson n se a ka bazë ankimore apo jo nga subjektet të cilat janë ankuar dhe nëse ka bazë ajo do t’i zgjedh ato vendvotime, do ti hulumtojë dhe pastaj urdhërohet sekretariati i KQZ-së që ta bëjë hulumtimin e këtyre fletëvotimeve.
“Ka vendvotime ose qendra të caktuara votimi dhe nëse aty mund të ketë pasur dyshime për parregullsi ose mospërfshirje të të gjitha votave si të rregullta ose ndonjë gabim, dyshim për ndonjë gabim eventual në vlerësimin e votave të pavlefshme të cilat janë të shumta dhe kësaj radhe fatkeqësisht, atëherë PZAP-i e vlerëson se a ka bazë ankimore apo jo nga subjektet të cilat janë ankuar, nëse ka bazë ajo do t’i zgjedh ato vendvotime, do t’i hulumtojë dhe pastaj urdhërohet sekretariati i KQZ-së që ta bëjë hulumtimin e këtyre fletëvotimeve, t’i ndajë kutitë dhe pastaj bëhet hetimi, nëse thotë PZAP-i dhe nëse vërtetohet se ka shkelje”, tha ai për Ekonomia Online.
“Sa i përket ankesës së Nisma-s për një proces të ri, të plotë nëse është menduar në ankesë rivotimin e të gjitha vendvotimeve në Kosovë, mendoj se për këtë do të duhej një hulumtim i thellë dhe është shumë pretencioze mbase lufta që po bënë ky subjekt politik për jetë apo jo për të mbetur ose jo në Parlament gjegjësisht brenda pragut zgjedhor”.