E ardhmja e sulmuesit Ousmane Dembele vazhdon të jetë në dyshime te Barcelona.
Francezi ka qenë në bisedime me katalunasit për disa muaj dhe ka pasur ofertë të re në disa javët e fundit.
Sidoqoftë, Dembele ende nuk ka kthyer përgjigje derisa është i interesuar për qëndrimin në “Camp Nou”, por nuk pranon me këto propozime të fundit.
Barcelona nuk mund t’i ofrojë Dembeles rritje page, shkaku i gjendjes së dobët financiare, derisa edhe lojtari ka pasur lëndime të shpeshta që nga viti 2017.
Francezit i skadon kontrata në fundin e sezonit dhe është i lirë të nënshkruajë parakontratë me çdo klub jashtë Spanjës.
Barcelona ka shpenzuar mbi 100 milionë euro për 24-vjeçarin në vitin 2017 dhe nuk duan ta humbasin falas. Për këtë arsye, Mundo Deportivo raporton se i kanë dhënë 48 orë për të vendosur.
Nëse francezi vendos të mos rinovojë, Barcelona do kërkojë blerës dhe nëse nuk gjen, do e lërë në bankinë për pjesën e mbetur të sezonit.