Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se Dr. Bardhyl Hasanpapaj i është bashkuar rrugëtimit të saj politik në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në një postim në Facebook, Osmani ka theksuar bashkëpunimin e hershëm me Hasanpapajn, duke kujtuar se rrugëtimi i tyre ka nisur që në vitin 2001, kur si studentë kanë përfaqësuar Universitetin e Prishtinës në gara ndërkombëtare të drejtësisë.
“Me Dr.sc. Bardhyl Hasanpapajn, rrugëtimi ynë nuk filloi në politikë. Filloi në vitin 2001, si dy studentë të rinj që bartnim ëndrra të mëdha dhe përfaqësonim Universitetin e Prishtinës në garat më prestigjioze ndërkombëtare të drejtësisë. Bardhi, përveçse njihet si një zë i arsyeshëm i diskursit publik, ka specializuar në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Bremenit në Gjermani, ndërsa doktoraturën e ka përfunduar në Universitetin e Firenzes në Itali”, shkroi Osmani.
Sipas shkroi Osmani, Hasanpapaj ka kontribuar edhe në projekte të ndryshme ndërkombëtare përmes organizatave si BE, USAID, NDI, NCSC, IFC dhe EBRD, duke e lidhur dijen akademike me praktikën profesionale dhe zhvillimin institucional.
“Si ekspert i sundimit të ligjit, dijen profesionale e ka shndërruar edhe në ndërmarrësi, duke udhëhequr projekte të rëndësishme për organizata ndërkombëtare si BE, USAID, NDI, NCSC, IFC dhe EBRD. Por përkundër të gjitha arritjeve, Bardhyli ka mbetur njeri i thjeshtë. Një mik i mirë. Një profesionist që nuk u largua kurrë nga dëshira për t’i dhënë Kosovës më shumë. E mbi të gjitha, një malsor që kurrë nuk e shkelë besën e dhënë. Jam e lumtur që edhe sot kemi pranë njerëz si Bardhyl Hasanpapaj, që me dije, integritet dhe përkushtim i japin forcë vizionit tonë për të ardhmen”, thuhet në postim.