Përreth rrotullimit rrugor që gjendet mes gjykatës, policisë dhe rrokaqiellit, në rrugën kryesore të qytetit të Pejës, Komuna është duke vendosur mburoja (parapete) me besimin se do të eliminohen kolonat e gjata të automjeteve që po krijohen nga ai rreth rrugor e deri te udhëkryqi, që në Pejë njihet si te semaforët e vjetër.
Me këto parapete Komuna ka për qëllim që t’i orientojë detyrueshëm këmbësorët në një zebër tjetër rreth 20 metra më poshtë atij rrethrrotullimi, shkruan sot Koha Ditore.
“Po vendosen ato parapete për të rregulluar çështjen e trafikut në qytet që po përballet me kolona të gjata me makina. Aty janë tri zebra e tash po shtyhet më poshtë kalimi për këmbësorë dhe do të ketë vetëm një vendkalim me zebër në atë pjesë që veturat m’u ndalë vetëm një herë e jo dy-tri herë në atë rrethrrotullim që ishte deri tash. Se ashtu edhe krijoheshin ndalesa më të mëdha dhe kolona”, tregon shefi i kabinetit të kryetarit, Durim Sheremeti, arsyen e vendosjes së parapeteve.