Barrikadat në Jarinjë e Bërnjak – Dialogu me serbët lokal zgjidhja e vetme

Prishtinë | 26 Sht 2021 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Zhbllokimi i dy pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, po shihet i mundshëm pa ndërhyrjen e Serbisë, vetëm nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kthehet premtimeve se do të dialogojë me serbët lokalë.

Sipas analistëve politikë Kurti duhet të angazhohet më shumë për t’i sqaruar serbëve në veri se nuk ka bërë asgjë kundër popullatës serbe në veri.

Sipas analistit Fatmir Sheholli, Kosova nuk duhet të bie pre e fjalëve të mëdha patriotike dhe se duhet të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë.

“Bashkimi Evropian është duke kërkuar që të qetësohen gjakrat dhe të respektohen të gjitha marrëveshjet të cilat janë arritur. Këtu është çelësi i gjithë kësaj ne duhet të jemi sy çelur dhe të mos të biem pre e fjalëve të mëdha patriotike në Kosovë por duhet të shkojmë në hap dhe në rrugë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Unionin Evropian”, deklaroi Sheholli për arbresh.info.

E analistja Afërdita Maliqi, për arbresh.info tha se Lista Serbe është në koordinim të plotë me autoritetet serbe dhe se vendimet e tyre shkojnë në bazë të asaj se çka vendos Serbia.

“Lista Serbe siç dihet është në koordinim të plotë me autoritetet serbe në Serbi. Nga përvoja e deritashme dihet se për çdo vendim të rëndësishëm ata marrin miratimin e Qeverise serbe”, tha Maliqi.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, mbi 3.000 targa të përkohshme janë lëshuar në të gjitha vendkalimet kufitare Kosovë – Serbi, ndërkaq, numri më i madh i tyre është lëshuar në vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdare.

Të ngjashme