Basha: Banorët e Thumanës të braktisur, shiu ka prishur çadrat kurse fëmijët janë sëmurë

Prishtinë | 24 Dhj 2019 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka njoftuar se ka vizituar sot Thumanën. Nëpërmjet një videomesazhi ai ka deklaruar se banorët atje janë “të harruar” nga strukturat shtetërore.

Përpos dëmeve të tërmetit dhe kushteve të motit, Basha tha se banorët tashmë po përballen edhe me sëmundje për të cilat nuk marrin dot shërbimin mjekësor.

“Pas një zallamahie propagande ata janë krejtësisht të harruar, të braktisur. Ndërkohë që ftohja e motit dhe shirat i kanë nxjerrë jashtë përdorimit çadrat prej plastmasi apo çadrat verore me të cilat janë pajisur një pjesë prej tyre. Dëshpërimi mbretëron kudo, varfëria është thelluar dhe tashmë ka nisur një pasojë tjetër e tmerrshme e kësaj krize humanitare. Ka shumë fëmijë të sëmurë, ka shumë të moshuar në nevojë për kujdes mjekësor për të cilët kanë nevojë por të cilët e kanë plotësisht të pamundur të marrin çdo shërbim aty ku janë apo të zhvendosen drejt spitaleve të Krujës, Tiranës apo të Laçit.”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës theksoi se jemi në kushtet e një krize të thellë “humanitare, ekonomike, sociale, politike dhe kushtetuese”, dhe se zgjidhja duhet të vijë nga shqiptarët.

“Rruga për ta zgjidhur këtë krizë duhet të nisë me përpjekjet e të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake, për të patur një qeveri të përgjegjshme. Një qeveri e cila ndihmon në kapërcimin e pasojave të tërmetit dhe bën gati të gjitha masat dhe të gjitha instrumentet për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të goditur kaq rëndë dhe për të ndalur rrokullisjen e ekonomisë kombëtare, në një greminë edhe më të thellë.

Nga zgjidhja e krizës politike, kalon edhe zgjidhja e krizës ekonomike, kalon edhe shpëtimi i dhjetëra mijëra familjeve të cilat ndodhen si asnjëherë në mëshirën e fatit.”, shtoi Basha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme