Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar sot në Selenicë me strukturat partiake në këtë bashki, e cila drejtohet nga Përparim Shaneti i Partisë Demokratike.
Duke e konsideruar të pavlefshëm, antikushtetues dhe antiligjor farsën e 30 Qershorit, kreu i opozitës tha se, “Kryetari legjitim i Bashkisë së Selenicës është Përparim Shameti dhe ai do të jetë në këtë pozicion derisa në vend të mbahen zgjedhje të rregullta e demokratike, në të cilat ai do të rikonfirmohet si kryebashkiak i Selenicës”.
Kreu i opozitës tha se demokratët duhet t’i shërbejnë mesazhit më të madh që dha 30 Qershori: 85 perqind e shqiptarëve refuzojnë regjimin e Edi Ramës dhe duan ndryshimin.
“Ata duan jo thjesht të ikë një parti dhe të vijë një tjetër, por duan ndryshimin e vërtetë, që i jep fund tranzicionit 30 vjeçar. Ne nuk jemi në betejë për karriget tona, por për të mbrojtur interesin publik, për ndryshimin rrënjësor të sistemit, që e keqja që solli Edi Rama, të mos përsëritet më kurrë”, tha kreu i opozitës.
Në Selenicë, lideri i opozitës vuri në dukje rëndësinë jetike për të qenë pranë qytetarëve në çdo kohë, në mënyrë që Partia Demorkatike të fitojë besimin e sa më shumë votuesve që refuzuan regjimin e Edi Ramës në 30 Qershor. /TCH/