Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha ka reaguar pas raportimeve lidhur me vendndodhjen e Deklaratës së Pavarësisë në objektin e ri të ministrisë, duke thënë se dokumenti nuk është “hedhur”, por është pjesë e inventarit që po sistemohet gjatë bartjes në hapësirat e reja.
Përmes një postimi publik, Basha tha se ministria aktualisht ndodhet në proces të bartjes, sistemimit dhe inventarizimit të hapësirave të punës në objektin e ri.
“Sa i përket lajmit për vendndodhjen e Deklaratës së Pavarësisë, dua ta sqaroj për opinionin publik se aktualisht jemi në proces të bartjes, sistemimit dhe inventarizimit të hapësirave të punës në objektin e ri të Ministrisë”, ka shkruar ai.
Ai theksoi se procesi i bartjes dhe organizimit të inventarit nuk menaxhohet nga ministri, por nga zyrtarët e logjistikës, pasi sipas tij bëhet fjalë për çështje teknike dhe operative.
“Me procesin e bartjes dhe organizimit të inventarit nuk mirret Ministri, por janë zyrtarët e Logjistikës, sepse këto janë çështje teknike dhe operative të organizimit”, ka deklaruar Basha.
Ministri shtoi se objekti aktualisht funksionon në kushte të përkohshme, me orendi të bartura nga objekti i vjetër dhe me organizim të improvizuar.
Sipas tij, edhe Deklarata e Pavarësisë është pjesë e inventarit të bartur dhe po pret të vendoset në mur nga zyrtarët përgjegjës.
“Pjesë e inventarit dhe e materialeve të bartura është edhe Deklarata e Pavarësisë, e cila ‘nuk është hudh’, siç është raportuar padrejtësisht dhe me tendencë në shumë portale, por është sjell në zyrë nga objekti i vjetër dhe po pret derisa zyrtarët e logjistikës ta varin në mur”, ka theksuar ai.
Basha u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e interpretimeve tendencioze, duke shtuar se ministria do të vazhdojë punën në shërbim të qytetarëve.
“Ftojmë opinionin publik të mos bjerë pre e interpretimeve tendencioze dhe theksojmë se ministria vazhdon t’u shërbejë qytetarëve me nder, përkushtim dhe përgjegjësi të plotë ndaj interesit publik dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.