Policia e Tiranës ka dhënë informacionin e parë zyrtar në lidhje me atë se çfarë ka ndodhur një natë më parë në mitingun e PD-së për çeljen e fushatës elektorale ku dhjetëra simpatizantë dhe vetë kryetari Lulzim Basha përfunduan në spital me shqetësime në lëkurë dhe në sy.
Sipas policisë, rreth orës 04:00 të mëngjesit në ambientet e QSUT-së janë paraqitur për ndihmë mjekësore 50 persona me simptoma të ngjashme, kryesisht djegie në sy dhe skuqje lëkure në pjesët e sipërme të trupit.
Të gjithë kanë qenë pjesëmarrës në aktivitetin e zhvilluar nga Partia Demokratike, mbajtur në orën 19:00 të 27 majit, në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë.
Policia e Tiranës thotë se pasi janë mjekuar, ata janë larguar për në banesë, veç 3 prej tyre që kanë pasur më tepër shqetësime po mbahen nën kujdesin e mjekëve në spital.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës është ngritur grupi hetimor me ekspertë nga Policia e Shtetit, Garda e Republikës, struktura të specializuara të Forcave të Armatosura etj.
Ndërkohë –Policia thotë se po kryhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar shkakun që provokoi simptomat si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sakaq, burime nga Partia Demokratike thonë për Express se gjatë aktivitetit të PD-së nuk ka pasur asnjë lëndë plasëse që mund të ketë sjellë shqetësimet shëndetësore tek të pranishmit.
“Tullumbacet e shumta nuk kane qenë shkaktare pasi ato ndodheshin rreth 30 m larg dhe janë hedhur në ajër”, thanë të njëjtat burime.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka rrethuar pjesën para kryeministrisë në Bulevard ku u mbajt mitingu, për të hetuar shkakun e vërtetë se çfarë që solli simptomat e njëjta tek mbështetësit e PD-së.
Pritet të zbulohet nëse aty është shpërndarë ndonjë lëndë që krijon të tillë gjendje tek njerëzit, lotim, skuqje dhe djegie të syve.