Fermerët e Beratit iu ankuan liderit demokrat për mungesën e subvencioneve, infrastrukturës dhe çmimin e lartë të naftës.
Për këtë të fundit, Basha ofroi zgjidhje të menjëhershme sapo demokratët të vijnë në pushtet.
“Hapi i parë do të jetë heqja e taksës Rama mbi naftën. Në momentin e parë që do të aplikojmë këtë masë, nafta do të jetë minimalisht 300 lekë më e lirë dhe pastaj do të ecim me hapa të tjerë me naftën bujqësore”.
Gjatë bashkëbisedimit me fermerët në Poshnjë, Basha akuzoi kundërshtarin politik se po pasuron një grusht njerëzish në kurriz të njerëzve të varfër.
“Nëqoftëse nuk të rimburson p.sh plehun që të ta japë jo në atë kosto, plastmasin nuk ta jep, 20 përqindëshin ta ka hequr, çfarë ngeli për ne? Nëse do të ndiqet kjo, është shumë e afërt që këtu do të falimentojnë të gjithë, pa përjashtim”, tha Lorenc Toska, fermer.
“Ne s’themi se premtojmë mrekullira, por të paktën subvencione sa jep Kosova dhe Maqedonia do të japim. 150 milion euro në vit janë të domosdoshme që të paktën të ulin kostot e mekanikës apo, në rastin tuaj të plasmasit të serave, të pesticideve, të imputeve, fidanëve etj”, u shpreh Basha.
Basha i bëri thirrje beratasve të bashkohen krah opozitës për të larguar Edi Ramën nga pushteti, përgjegjësi kryesor sipas tij për situatën në të cilën ndodhet jo vetëm ata, por i gjithë vendi.
“Na ka shkuar në palcë! Nuk ka pse të na shkojë në palcë. Ne jemi shumica, ju jeni shumica. Ejani ta marrim fatin tonë në duart tona”.