Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha në një intervistë për BBC World ka folur për protestat dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima – asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua – është shprehje e zemërimit në rritje”, tha Basha.
Ndërkaq sa i përket integrimit evropian ai tha se Shqipëria duhet t’i bashkohet Bashkimit Europian, dhe duhet të hapë negociatat e anëtarësimit.
“Kjo është ajo për të cilën ne po luftojmë, për vlerat europiane, por Shqipëria nuk mund t’i bashkohet BE-së me gënjeshtra, me fabrikime, me zgjedhje të vjedhura, me bashkëpunim me krimin e organizuar, me korrupsionin në nivelet më të larta të këtyre 29 viteve, me pandëshkueshmërinë e njerëzve me pushtet”.